Një 35-vjeçare është gjetur e vrarë në banesën e saj në Viale Triste të Italisë pasditen e së dielës, ndërsa në kërkim për ngjarjen është shpallur bashkëshorti i viktimës.
Mediat italiane bëjnë të ditur se policia gjeti trupin e saj pasditen e djeshme dhe shpalli në kërkim bashkëshortin Avni Meçje.
Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Alexandra Elena Mocanu, me origjinë nga Rumani. E reja kohët e fundit jetonte në kryeqytetin e Tirolit të Jugut, ku punonte si banakiere.
Alarmi për ngjarjen është dhënë të dielën pasdite pas denoncimit të familjarëve të bashkëshortit të saj Avni Mecjes.
Burri gjatë një telefonate kishte njoftuar familjarët se duhej të arratisej sepse ishte në kërkim. Ai u largua nga Bolzano me makinën dhe telefonin e gruas së tij dhe dyshohet se mund të jetë nisur drejt Shqipërisë.
Në banesën në viale Trieste 42, policia gjeti trupin e të resë të mbështjellë me një batanije. Në vendngjarje ka ndërhyrë e mjekja ligjore dhe prokurorja Claudia Andres, e cila koordinon hetimet.