Aktualitet

Fluks i shtuar në rrugë, policia: Mjete me shpejtësi në dyfishin e normës


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:15 - 01/08/21 |
Opi Nion

Policia e Shtetit raporton për fluks të shtuar në akset rrugore të lidhura me zonat bregdetare. “ Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, qëndroni në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, përdorni rrugë alternative dhe shmangni orët e pikut. Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep, se kudo ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike”, paralajmëron policia.

Bëhet me dije se në 24 orët e fundit janë pezulluar 56 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar me gjoba disa drejtues, të kapur në qërkullim deri në dyfishin e shpejtësisë së lejuar.

“Gjatë 24 orëve janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se dyfishi i normës së lejuar.   Në Rrugën e Kombit, në drejtimin e lëvizjes Kukës-Rrëshen, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar me radar shtetasi kosovar E. B., rezident në Angli, duke qarkulluar me një mjet “Jaguar”, me shpejtësi 191 km/orë. Ky drejtues u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj. Shpejtësi të larta janë konstatuar nga shtetas të tjerë kosovarë, rezidentë në Zvicër, Angli e vende të BE-së, që qarkullonin me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, në Bypass-in e Fierit dhe në Tiranë-Durrës-Kavajë.

Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Janë pezulluar 56 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2019 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, njoftoi policia./Opinion.al

Pas