Drejtuesi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu, ka reaguar publikisht sonte, 6 maj, ndaj aludimeve të përhapura në disa portale lidhur me intervistën ekskluzive me shkrim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia e tij në Hagë.
Fevziu theksoi se intervista nuk i është nënshtruar asnjë lloj censure dhe se dokumenti ka mbërritur i plotë, i firmosur dhe drejtpërdrejt në dorën e tij.
“Intervistën nuk e ka parë askush deri në momentin që ka ardhur në porosi të plotë, me firmë. E kam hapur unë dhe e kam përgatitur unë”, deklaroi ai, duke i cilësuar si “paranojake dhe absurde” pretendimet për ndërhyrje.
Ai sqaroi gjithashtu dy pika konkrete që kanë ngjallur debat, përkatësisht pyetjet 10 dhe 11 të intervistës, të cilat, sipas tij, nuk kanë lidhje me aktualitetin.
Pyetja 10 lidhej me mundësinë e bashkimit të partive opozitare për krijimin e një qeverie të re përpara zgjedhjeve të dhjetorit, për të cilën Thaçi është përgjigjur shkurt: Nuk kam koment!
Ndërsa pyetja 11 kishte të bënte me zgjedhjen e presidentit dhe nevojën për shumicë të cilësuar, si dhe një bashkëpunim të mundshëm mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Në këtë rast, Thaçi është shprehur se “ka ardhur koha që zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, duke shtuar se Shqipëria dhe Kosova janë ndër vendet e fundit në rajon ku presidenti zgjidhet nga parlamenti.

















