Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Erë e mbarë për Teatrin Kombëtar

2018/06/26 at 9:33 PM
në Komente
Kohë leximi: 7 min
A A
Erë e mbarë për Teatrin Kombëtar

Nga Pëllumb Kulla


Një miku im pat qëndruar disa ditë  në Tiranë. Më tregoi se shoferi i taksisë që e pat marrë ta shpinte në varreza, rrugës i kish bërë një pyetje, për të cilën miku, që mban këtu, në një servis makinash, nuk kishte dot përgjigje.

Taksisti kish pyetur: “O vëlla, si mendon ti, a duhet shëmbur ky teatri, që kemi?”

“Nuk e di përse është fjala dhe kujt mund t’i hyjë në punë mendim im!” i qe përgjigjur ky.

Shoferi qe habitur se si ky lloj pasagjeri paskej pesë ditë ardhur dhe nuk paskej marrë vesh se aty, në Shqipëri, i madh e i vogël, politikanë dhe paparti, mëndje të ndritura dhe njerëz që s’kanë lexuar kurrë një libër, lypësa dhe milionerë, pa përjashtim në të gjithë kanalet televizivë, Fevziu, Rakipi, Eni Vasili, Zheji, Lubonja, që të gjitha gazetat, ato që në krye të faqeve kanë Bashën, ato të tjerat që kanë Ramën, apo ato që nuk shënojnë një ditë pa Mehmet Shehun, po ngrysen e gdhihen me shoshat e problemit të Teatrit Kombëtar!

Dhe deri te varri i nënës së pasagjerit, që gatitej të kthehej ku e prisnin fëmijët, shoferi kish tjerrë atë që kish bërë me qindra pasagjerë të tjerë dhe ngulte këmbë se duhej një teatër i ri.

Më treguan bile se një plak në shtratin e vdekjes me fjalët e fundit paska thënë se “po iki i lumtur që binanë e theatrit e lashë në këmbë.”

Unë vetë, i nënshkruari, si më afër këtyre punëve, jam shprehur dy herë mbi këtë çështje para tre muajsh dhe heshta në një pushim të gjatë, që le të merret dhe si moskokëçarje.

Por më duket se zhurma u stërtepërua. Më duket se duhet të kthjellohemi dhe të arrijmë në një shkoqitje përfundimtare të temave, ku teatri, o miq, është vrima e fundit e kavallit. Në diskutimet e zjarrta shquhen dyshime për interesa fitimprurëse, interesa të publicitetit, të karrierës dhe kontraste të politikës. Është e natyrshme që aty të shfaqen dhe preokupime kulturore, arqitekturale apo urbanistike, por drithërimet dhe oshëtimat vijnë nga shpellat e politikës.

Edhe pse premtojnë mërzi, më lejoni për të fundit herë të ndalem në këto tema, duke lënë të fundit pikërisht teatrin.

Interesat politike

Dihet ajo që në universin e shqiptarëve, politika është nëna e gjithë të këqijave. Ajo është nëna e përçarjes, e trazirave, shkaktarja e ndotjeve që duken dhe atyre që nuk shfaqen, edhepse nuk arrijnë të fshihen dot. Ca grupime politike nuk merakosen as për nevojat e Shqipërisë e jo më të artistëve dhe të ndërtesave ku shfaqet arti i tyre. Në rast se opinionet ndahen më dysh dhe si arbitër marrim organizma teknike të specializuara, ne i hedhim poshtë në rast se ato nuk janë me kauzën tonë. Në rast se për ndërtesën në fjalë edhe shoqata e ndërtuesve mendon se teknikisht, ajo ngrehinë, nuk i qëndron dot më dhëmbëve të kohës, ne që jemi të asaj ane që është për ruajtjen e ngrehinës, nuk e kemi për gjë të themi që ndërtuesit janë të paguar.

Ndërtesa shënon 70 vjet dhe ky është i vetmi argument logjik që kemi ne se ajo do të jetë e pavdekshme. Në rast se edhe zjarrfiksat paralajmërojnë rreziqe të dukshme zjarri, do të themi se ata janë rrogëtarë të qeverisë. Ata të organeve të shëndetësisë dhe të Monumenteve të Kulturës janë të paguar, specialistët e huaj janë të blerë, dhe kështu, të shitur e të blerë janë të gjithë ata që nuk flasin si ne. Çfarë do të humbim? Ne për një anullim marrëveshje ndërshtetërore deklaruam se të nëntë gjyqtarët e lartë të Gjykatës Kushtetuese ishin të ngallosur me ryshfete dhe nuk na gjeti gjë. Tek ne pushteti blihet, votat që na sjellin në qeverisje ne i blejmë. Tek ne shiten edhe vëzhguesit, kombëtarë edhe të huajt.

Edhe unë që shfaq këto mendime, nuk e vërtetoj dot që nuk jam i blerë.

Si mund të vazhdohet kështu me këtë atmosferë të ndohtur fund e krye?!

Interes politik apo elektoral të drejtë për drejtë, në këtë rast, ka patjetër edhe kryetari i Bashkisë, ministrja e Kulturës dhe vetë Kryeministri. Në rast se ata ofrojnë zgjidhje, unë besoj se nuk ka nevojë t’ju a zbuloj se cfarë do të themi ne:

“Ata nuk mund të kenë qëllime të pastra. Ata nuk mund të kenë qëllim që Tirana të jetë e bukur, nuk u plasi për një ndërtesë dinjitoze, të bukur, me kushte teknike optimale. Po e arritën ta ngrejnë një ndërtesë të tillë, edhe kjo do t’i ndihmojë ata të rrinë në pushtet vite të tjera.”

E tillë është platforma e politikës që kundërshton përpjekjet e çdo zgjidhjeje.

Unë nuk e dij nëse autoritetet qeveritare dhe bashkiake kanë interesa korruptive. Dëshira ime e sinqertë është që të mos kenë dhe besoj palëkundshmërisht në ta, si njerëz qëllimmirë dhe idealistë. Unë edhe Rrugën e Kombit kam dëshirë ta shpjegoj që ajo të ketë kushtuar aq llahtarisht shumë, vetëm si rezultat i gabimeve dhe paaftësisë së zgjedhjes të një firme ndërtuese më të mirë. Më mjafton lumturia që ato dy-tri herë që kam udhëtuar mbi atë autostradë, nga Tirana, pas tre orësh jam gjendur në Prishtinë! Është abuzuar dhe njerëz malinjë kanë përfituar nga financimi i saj? Sa keq! Po përse vononi të na e vërtetoni?

Po, dreqi e mori, nuk mund të shihet prapa çdo nisme të bukur njerëzore, dyshimi se sa fiton qeveria, bashkia apo komuna, se kështu vendi nuk do të përparojë kurrë! Të mos kemi më shpresë?! Pra nuk do të ketë më asnjëherë në këtë vend kryebashkiakë të ndershëm, deputetë të devotshëm ndaj atdheut dhe ministra të papërlyer?!

Mjerë ne, atëherë!

Rruga që po ndiqet

Pashë mbrëmë një tryezë të gjerë organizuar nga zoti kryetar i Bashkisë së kryeqytetit me të ftuar nga fushat e ndërtimeve, të arqitekturës, zjarrfikësave, përveçse, siç ish dhe e natyrshme, edhe artistë, pedagogë dhe të tjerë individë të interesuar për zgjidhjen e problemit.

Më habiti dhe më lumturoi atmosfera që ka arritur të krijojë me durim shëmbullor Erion Veliaj, ky politikan i mënçur që bashkon në vetvete ambicjen dhe papërtueshmërinë e të riut me pjekurinë dhe urtësinë e një të moshuari

Ujdia që po kërkon dhe duket se po e arrin zoti Veliaj për t’i puqur e për t’i sjellë në një hulli të tërë kundërshtimet, i shkon për shtat natyrës së tij. Më pëlqen që ai projektligjin e përgatitur për parlamentin e konsideron si një ftesë për pleqësim e për zgjidhje të nyjes gordiane që ka mbetur para nesh. Është e natyrshme që ai nuk do t’i mbushë të gjitha mendjet dhe le të mbeten po deshën të gjitha llojet e dyshimeve, por le të ulen gjakrat!

Nga ana tjetër edhe kundërshtimet e artistëve arritën jo pak, – le t’i quajmë, – fitore.

U kërkua që teatri të mos jetë pjesë e një ndërtese shumëkatëshe, u arrit! U kundërshtua zhvendosja nga ai territor, cungimi i sipërfaqes ku teatri ka jetuar deri tani. Këto u arritën falë kundërvënieve të të gjithë atyre që atë vend e kanë pasur shtëpinë e tyre të përbashkët.

Është meritë e kryeministrit gjetja e qëlluar e një njeriu të përshtatshëm,  si Erion Veliaj, që duket se po ia del mbanë sheshimit të kundërshtimeve dhe shpjegimit me durim të të gjithë detajeve të kësaj zgjidhjeje.

Teatri dhe hallet e tij.

Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qëndror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit. Në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Aty bëhej një jetë e vështirë, e helmuar me plot rrezikime gjithëfarëllojësh. Por, nga ana tjetër duhet thënë me gojën plot se ky teatri ynë i dashur, ka pasur artistë të mrekullueshëm, të denjë për t’u krahasuar me yje  të skenës dhe ekranit botëror. Nuk po përmend emra, se ju e kuptoni që lista do të më dilte tepër e gjatë.

Ata artistë edukuan breza dhe lanë pas artistë të rinj dhe sot ne përsëri  lumturisht kemi artistë kalibri, të ndërgjegjshëm për detyrimin shpirtëror që kanë ndaj udhërrëfyesve të tyre. Nga kjo bazë vinte këto ditë fryma nostalgjike, dëshira e zjarrtë e ruajtjes së atij që e quanin tempull të çmuar.

Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një  pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos  dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës. Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Meraku i tyre dhe lufta që bënë është vërtet për t’u admiruar.

Dua të besoj se jo që të gjithë ata miq e kolegë e bënin kundërshtimin me porosira partie. Dhe ajo që vlen të nënvizohet e të rikujtohet është se pjesa dërmuese e artistëve që iu bashkuan që në orët e para lëvizjes për demokraci, i vajtën pas partisë së re që  jepte aq shpresë, dhe disa syresh u bënë deputetë të atij grupimi politik. Kushtrimit të progresit shoqëror do t’i përgjigjen gjithmonë artistët më të mirë. Por përgjithësisht edhe në ato kohë të ethëshme ndryshimesh, ata nuk e braktisën kurrë veprimtarinë bazë, teatrin.

Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme  të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt  dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë!

Etiketa: ere e mbarePellumb Kullateatri kombetar


Ju sugjerojmë

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!
Komente

Folsinshpi! Asnjë lek më shumë në faturë!

30 Qershor, 2021 8:55 pm
Dilema e hebrenjve
Komente

Dilema e hebrenjve

8 Prill, 2019 2:14 pm
Erjon Uka
Komente

Jo dembelë, por të pamotivuar

6 Prill, 2019 12:02 pm
Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi
Komente

Në pritje të një oferte për ndërrim sistemi

5 Prill, 2019 3:15 pm
Erjon Uka
Komente

Lavdërim i paaftësisë

23 Mars, 2019 9:15 pm
A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?
Komente

A do të jetë 2019-a viti i euro-skeptikëve?

25 Shkurt, 2019 8:13 am
Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë
Bota

Bernard-Henri Lévy: Europa, utopia dhe shpresa e fundit e gjeneratës sonë

23 Shkurt, 2019 8:00 pm
Antisemitizmi në rritje
Komente

Antisemitizmi në rritje

22 Shkurt, 2019 12:33 pm
Mustafa Nano: Problemi ynë nuk janë tradhtarët, por trutharët
Komente

Basti i rëndë dhe i rrezikshëm i Lulzim Bashës

20 Shkurt, 2019 11:38 am
Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen
Bota

Merkel dhe Mike Pence, dy botë përplasen

17 Shkurt, 2019 12:30 pm
Para
Argjentina kalon mes drithërimash në raundin tjetër

Argjentina kalon mes drithërimash në raundin tjetër

Foto/ Eshtë 40 vjeç dhe është kaq seksi!

Foto/ Eshtë 40 vjeç dhe është kaq seksi!

Basha i përgjigjet Ramës për “fanellën kuqezi”: Ti ke fanellën e drogës, ne nuk e veshim atë

Basha: Hapja e negociatave u shty me një vit, krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng vendin
















TE FUNDIT

Mbyllet numërimi i votave në qarkun e Dibrës, ja si ndahen mandatet

Mbyllet numërimi i votave në qarkun e Dibrës,  ja si ndahen mandatet
13 Maj, 2025

Përfundon procesi i numërimit edhe në qarkun e Dibrës ku Partia Socialiste kryeson me 32 146 vota ose 56.19% të...

Lexo më shumë

REL: Udhëheqësit evropianë mblidhen në Tiranë në kërkim të zgjidhjeve për Ukrainën

REL: Udhëheqësit evropianë mblidhen në Tiranë në kërkim të zgjidhjeve për Ukrainën
13 Maj, 2025

Më 16 maj, udhëheqës nga e mbarë Evropa do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, për samitin...

Lexo më shumë

Përfundon numërimi i votave në qarkun e Elbasanit, kryeson PS

Përfundon numërimi i votave në qarkun e Elbasanit, kryeson PS
13 Maj, 2025

Ka përfunduar procesi i numërimit në të 10 KZAZ e qarkut të Elbasanit, ku kryeson Partia Socialiste. Sipas asaj që...

Lexo më shumë

Sonte “Eurovisioni”/Shkodra Elektronike përfaqëson vendin tonë, Rama i uron suksese

Sonte “Eurovisioni”/Shkodra Elektronike përfaqëson vendin tonë, Rama i uron suksese
13 Maj, 2025

Mbrëmjen e kësaj të marte nis edicioni i 69 i festivalit evropian të muzikës “Eurovision 2025”. Shkodra Elektronike do të...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com