Nga Reldar DEDAJ
Do dëshironim të mos ishte kështu, nëse vërtetë nuk do ta ndjenim një lloj sëkëlldie me lajmet që po transmetohen në lidhje me martesat e fëmijëve të ashtuquajtur VIP-a. Përveç lajmeve që dalin në lidhje me fustanin, vendet ku dhe do kalojnë pushimet, çuditërisht, më shumë se çifti reklamohen në gazeta apo revista qofshin ato elektronike apo jo, miqtë e njohur të prindërve të tyre.
Vera është një stinë që çuditërisht kap një valë të qeshurash që lënë vazhdën e tyre të ndritshme në qiellin e gjithsecilit nga ne. Bashkë me këto të qeshura, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe të mos bashkohej me të, edhe gëzimi i qindra e qindra çifteve që lidhin jetën me njëri-tjetrin. Por gëzimin e disave nuk rrinë pa e njollosur, pa e lustruar pak me të zezë, ndoshta sa për t’i bërë një njollë. Mjafton vetëm kaq dhe gjithçka zbehet, e prish më së miri shenjtërinë e kësaj dite.
Më pastaj, jeta nis e kthehet sërish në realitetin e rrugëve, mureve, pemëve, dritave dhe thashethemeve. Sakaq e gjejnë veten në një skaj të kryeqytetit, duke ecur me turr, dhe fytyra e tyre që dy ditë më parë kishte dalë në suplementin e gazetës, dalëngadalë kishte nisur të harrohej. Gjithçka dhe gjithkush kishte marrë rrugën e vet, ata me hallet e tyre, këta me të vetat.
Por siç me kohë e kemi mësuar; individi në unikalitetin e tij të pazëvendësueshëm, është figura kryesore, ai që Ungjilli na lutet ta duam, ai që Kanti e shihte si një qëllim dhe kurrë si mjet, liritë e patjetërsueshme të të cilit mbrohen me ligj dhe pasionet e të cilit letërsia i vendos në qendër të botës. Papritmas, prindërit ja humbasin. Kultura e tyre, akoma nuk e ka vendosur thelbin tek individi, por tek e tëra. Pak mjafton si mund të ndjehet djali, e rëndësishme është si ndjehen prindërit dhe miqtë e tyre.
Ky muaj dasmash, të krijon përshtypjen e një kohe që ka luajtur rolin e një katalizatori influencash, e bash në dasmat e këtyre picirrukëve që kanë mbushur faqet e fundjavës së gazetave, me kinse idenë si martesa vipash, por që në realitetin e fundëm, vetëm kanë shërbyer si tryeza marrëveshjesh politike, ndarje pazaresh, dhe pothuajse shumë pak iu është kushtuar çifteve të sapomartuar. Eshtë diçka për të cilën duhet të na vijë shumë keq.
Njeriu kryekëput pjellë e interesit të rëndomtë nuk lë pa përzier edhe fëmijët e tij, hap gazetat e përditshme, reklamon biftekët dhe miqtë e fuqishëm të vet, mburret me pasurinë e madhe që ka vënë, mikun e fortë që ka lidhur miqësi, të ftuarit e pushtetshëm, dhe i bën karshillëk të gjithë shqiptarëve të varfër e ndoshta tepër të rëndomtë të këtij vendi. Ja përse Shqipëria është një vend i vogël. Ajo sado të lodhët, nuk mund të ngrihet në kufijtë e përsosjes: te sublimja, njerëzorja dhe pafundësia estetike.
Atë e ka “tradhtuar” paria, prandaj kurrë s’ka dhënë dhe s’do mund kurrë të japë një figurë të mirë, të pranuar, sepse vetë kultura jonë është e ngjizur për të mos e pranuar njerëzoren. Shqipëria është e madhe për hiçësirat. Ka gjasa që jeta e sotme, që ky soj ka nisur të ndërtojë, të mos jetë gjë tjetër veçse stërhollim i banalitetit, lëmim i disa gjërave imcake dhe ruajtje njëfarësoj e një dromce zgjuarsie në rastësoren e të përditshmes. Medemek, duke e bërë mediokritetin sa më njerëzor sa më të durueshëm që është e mundur, duke e mbështjellë me hijeshi, duke i dhënë lustër e finesë.
Besoj se çdo njeri i ndershëm dhe me dy pare mend në kokë, kur hap dhe lexon faqet e një të përditshmje, me patjetër, ndjen një keqardhje dhe trishtim, për gjithë atë letër luksoze dhe për ato gërma aq të bukura që janë përdorur për të riprodhuar, në pjesën më të madhe, fjalë që të kallin neveri dhe mendime aq të pavlefshme. Këtë muaj asnjë ngjarje nuk u shkrua dhe as u shtyp me kaq elegancë sa u botuan lajmet për dasmat e fëmijëve të vipave, të cilat prodhohen për të jetuar vetëm një ditë…