Pas vizitës zyrtare në Tiranë, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ka reaguar në rrjetin social X duke përmbledhur takimet e tij me kryeministrin Edi Rama dhe homologun shqiptar Ermal Nufi.
Në takimin me Ramën, Dendias tha se u diskutua situata gjeopolitike në rajon dhe forcimi i bashkëpunimit mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Ai shtoi se ka pasur mundësi të flasë edhe për Himarën, të cilën shkruan se e konsideron si vendin e hershëm të origjinës, si dhe për rolin e minoritetit etnik grek si urë miqësie mes dy vendeve.
Ndërkohë, në lidhje me takimin me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi, Nikos Dendias është shprehur se u dakordësua për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake.
Ai theksoi se bisedimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në kuadër të NATO-s, si dhe në trajtimin e çështjeve që lidhen me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e varrezave ushtarake.

















