Bota

Çfarë pritet nga zgjedhjet e reja në Turqi?



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:44 - 19/01/23 |
Opi Nion

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, po synon që të zgjasë pushtetin e tij 20-vjeçar në zgjedhjet që do të vendosin jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por si do të qeveriset ky shtet, në cilin drejtim do të shkojë ekonomia dhe çfarë roli mund të luajë Ankaraja për të zbutur konfliktin në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që mund të mbahen më 14 maj, shënojnë sfidën më të madhe politike deri më tani për Erdoganin, i cili ka mbrojtur devotshmërinë fetare, diplomacinë e mbështetur nga ushtria dhe normat e ulëta të interesit.

Nëse ai humb, kundërshtarët e tij kanë premtuar ndryshime radikale.

Çfarë prioritetesh ka në zgjedhjet e sivjetme në Turqi…

Lideri më i fuqishëm që nga Mustafa Kemal Ataturk, që themeloi Republikën moderne turke një shekull më parë, Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) e ka larguar Turqinë nga plani laik i Ataturkut.

Erdogan po ashtu ka centralizuar pushtetin përreth një presidence ekzekutive, që gjendet në një pallat me 1.000 dhoma në periferi të Ankarasë dhe ku vendosen politikat e Turqisë sa i përket ekonomisë, sigurisë çështjeve të brendshme dhe të jashtme.

Kritikët kanë thënë se Qeveria e tij ka shtypur disidencën, ka kufizuar të drejtat dhe ka vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë – akuza që hidhen poshtë nga zyrtarët të cilët kanë thënë se Qeveria e Erdoganit ka mbrojtur qytetarët para kërcënimeve të sigurisë, përfshirë edhe grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016.

Ekonomistët kanë thënë se thirrjet e liderit turk për uljen e normave të interesit bën që niveli i inflacionit të arrinte në nivelin më të lartë në 24 vjet. Vitin e kaluar, Turqia regjistroi inflacion prej 85 për qind dhe monedha kombëtare, lira, në dekadën e fundit ka humbur një të dhjetën e vlerës së saj kundër dollarit amerikan.

Partitë opozitare janë zotuar se do të rivendosin pavarësinë e Bankës Qendrore, do të rikthejnë Qeverinë parlamentare dhe do të prezantojnë një Kushtetutë të re, që do të bazohet në sundim të ligjit.

….po për pjesën tjetër të botës?

Nën udhëheqjen e Erdoganit, Turqia ka treguar fuqinë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe më tej – ka nisur katër inkursione për në Siri, ka kryer ofensivë kundër militantëve kurdë brenda Irakut dhe ka dërguar mbështetje ushtarake për Libinë dhe Azerbajxhanin.

Turqia po ashtu ka pasur një sërë përplasjesh diplomatike me fuqitë rajonale, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin. Po ashtu, ka pasur tensione me Greqinë dhe Qipron lidhur me kufijtë detarë në Mesdhe. Por, dy vjet më parë Ankaraja ndryshoi qëndrim dhe kërkoi që të rivendoste marrëdhëniet miqësore me disa prej rivalëve të saj.

Blerja nga Erdogan e sistemeve ajrore ruse nxiti industrinë e armëve në Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj Ankarasë, përderisa afërsia e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, bëri që kritikët të vinin në pikëpyetje angazhimin e Turqisë në aleancën perëndimore të mbrojtjes, NATO. Kundërshtimi i Ankarasë për aplikimet për anëtarësim në NATO të Suedisë dhe Finlandës po ashtu ka rritur tensionet.

Megjithatë, Turqia po ashtu ndërmjetësoi një marrëveshje për eksportet e drithërave ukrainase, duke vënë në pah rolin e mundshëm të Erdoganit në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, në skenarin nëse Erdogan humb zgjedhjet, është e paqartë nëse pasardhësi i tij do të gëzojë profil të njëjtë që ai ka krijuar në skenën ndërkombëtare – një temë që Erdogan ka të ngjarë që ta trajtojë gjatë fushatës zgjedhor.

Megjithatë, Turqia po ashtu ndërmjetësoi një marrëveshje për eksportet e drithërave ukrainase, duke vënë në pah rolin e mundshëm të Erdoganit në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, në skenarin nëse Erdogan humb zgjedhjet, është e paqartë nëse pasardhësi i tij do të gëzojë profil të njëjtë që ai ka krijuar në skenën ndërkombëtare – një temë që Erdogan ka të ngjarë që ta trajtojë gjatë fushatës zgjedhor.

Çfarë po premton opozita?

Dy partitë kryesore opozitare, subjekti laik Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI e qendrës së djathtë, kanë bërë aleancë me katër parti më të vogla, duke garuar në zgjedhje me një platformë që synon të zhbëjë politikat kryesore të Erdoganit.

Ata janë zotuar se do të rivendosin pavarësinë e Bankës Qendrore dhe do të heqin dorë nga politikat e pazakonta ekonomike të Erdoganit. Ata po ashtu kanë thënë se do të shpërbëjnë presidencën ekzekutive të Erdoganit dhe kanë argumentuar se favorizojnë sistemin e mëhershëm parlamentar. Opozita turke po ashtu ka thënë se do të kthejë mbrapsht refugjatët sirianë.

Erdogan ka mbështetur përpjekje të dështuara për të rrëzuar nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad. Ai po ashtu ka pranuar të strehojë mbi 3.6 milionë refugjatë sirianë, të cilët, çdoherë e më shumë nuk po janë të mirëpritur për shkak të vështirësive ekonomike nëpër të cilat po kalon Turqia.

Së fundmi, ai ka ripërsëritur thirrjet e opozitës për një qasje tjetër ndaj Damaskut dhe ka biseduar për kthimin e disa refugjatëve, edhe pse as presidenti dhe as opozita nuk kanë treguar se si mund të bëhet kjo në mënyrë të sigurt.

Çfarë po e ndalë opozitën?

Aleanca prej gjashtë partish po tenton të paraqesë një platformë të përbashkët, por partitë opozitare ende nuk janë pajtuar për kandidatin që do të sfidojë Erdoganin për presidencë.

Lideri i CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, po shihet si një kandidat i dobët. Një tjetër kandidat i mundshëm është kryetari i Stambollit, nga partia CHP, i cili është dënuar në dhjetor me burgim dhe ndalesë për pjesëmarrje në jetën politike pasi kishte ofenduar zyrtarët zgjedhorë. Megjithatë, dënimi ndaj tij është duke u apeluar.

Ndërkohë, gjykata kryesore e Turqisë po dëgjon raste që kanë të bëjnë me mundësinë e mbylljes së partisë së tretë më të madhe parlamentare, Partisë Popullore Demokratike pro-kurde (HDP), dhe për ngrirjen e disa prej llogarive të kësaj partie. Ish-lideri i HDP-së, Selahattin Demirtas, është në burg që nga viti 2016 për shkak se u gjet fajtor për ofendim të presidentit.

Kur të fillojë fushata zgjedhore, partitë opozitare do ta kenë më të vështirë që mesazhi i tyre të dëgjohet te publiku. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, opozita pati vështirësi që të kishte kohën e duhur televizive në kanalet turke, pasi shumica e televizioneve mbështesin fuqishëm Erdoganin.

Çfarë ndodh më pas?

Erdogani sinjalizoi më 18 janar se planifikonte të shpallte zgjedhjet për 14 maj. Paraprakisht ishte paraparë që zgjedhjet të mbaheshin në qershor.

Zgjedhja e aleancës opozitare për kandidatin për president do të jetë kyçe në shanset e tyre për fitore, por edhe faktorë të tjerë do të luajnë rol, përfshirë edhe mundësitë e frenimit të inflacionit.

Erdogani e ka përmendur mundësinë e një samiti me liderin sirian, Bashar al-Assad, si një hap i parë i mundshëm për të diskutuar për të ardhmen e refugjatëve. Në të njëjtën kohë, Ankaraja për muaj të tërë ka paralajmëruar se po përgatitet për një ofensivë të re në veri të Sirisë për të shënjestruar luftëtarët kurdë. Këto ngjarje mund të rrisin popullaritetin e Erdoganit./REL

Pas