Bota

Britania e Madhe urdhëron ekstradimin e Assange në SHBA



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:35 - 17/06/22 |
Opi Nion

Qeveria britanike ka urdhëruar ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh. WikiLeaks tha se do të apelonte vendimin.

Ministrja e brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel, nënshkroi urdhrin e ekstradimit të premten, më 16 qershor. Kjo vjen pas një vendimi të gjykatës britanike në muajin prill ku thuhej se Assange mund të dërgohej në SHBA për shkak të publikimit të një numri të madh dokumentesh konfidenciale nga WikiLeaks më shumë se një dekadë më parë.

Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë se procesi i ekstradimit të Assange nuk është i padrejtë dhe nuk është abuzim i procesit gjyqësor.

“Nuk është konstatuar as që ekstradimi do të ishte i papajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe për lirinë e shprehjes, dhe se në SHBA ai do të trajtohet siç duhet, përfshirë edhe çështjet që lidhen me shëndetin e tij”.

Vendimi përbën një moment kyç në betejën shumëvjeçare të Assange për të shmangur gjykimin në SHBA, edhe pse jo domosdoshmërish është fundi i historisë. Assange ka 14 ditë kohë për të apeluar vendimin.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve britanike ekstradimin e Assange në mënyrë që ai të gjykohet mbi 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterësh. Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks i publikoi më vonë, duke vënë kështu në rrezik jetë njerëzish.

“Sot nuk është fundi i kësaj çështjeje. Është vetëm fillimi i një beteje të re ligjore”, tha gruaja e Assange, Stella Assange. Ajo tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënonte “një ditë të zezë për lirinë e shtypit dhe për demokracinë britanike”.

“Juliani nuk bëri asgjë të keqe”, tha ajo. “Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk është kriminel. Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet sepse bëri punën e tij”.

Një gjykatës britanik miratoi ekstradimin në muajin prill, duke ia lënë vendimin përfundimtar Qeverisë britanike. Vendimi erdhi pas një beteje ligjore që u shqyrtua deri në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

Organizatat mediatike dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Britanisë të refuzojë kërkesën për ekstradim.

Mbështetësit dhe avokatët e Assange, 50-vjeçar, argumentojnë se ai po vepronte si gazetar dhe ka të drejtë për mbrojtjen e lirisë së fjalës nga Amendamenti i Parë për publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se rasti i tij është i motivuar politikisht.

Avokatët e Assange shprehen se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse dënohet në SHBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se çdo dënim ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se kaq.

Assange është mbajtur në një burg të sigurisë së lartë në Londër që nga viti 2019, kur ai u arrestua për anashkalimin e lirimit me kusht gjatë një çështjeje të veçuar ligjore. Para kësaj, ai kaloi shtatë vjet brenda Ambasadës së Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, për t’u përballur me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.

Suedia hoqi dorë nga hetimet në nëntor të viti 2019, pasi kishte kaluar afati ligjor për çështjen në fjalë./ REL

Pas