Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku këtë të shtunë ka inspektuar punimet në aksin rrugor Orikum-Dukat.
Gjatë fjalës së saj Balluku tha se Bypass-i i Vlorës, si dhe segmentet e aksit Orikum-Dukat, që janë pjesë e rrugës ekzistuese, duhet të jenë gati dhe të hapura për qarkullimin e automjeteve nga java e parë e korrikut.
“Në këto momente jemi duke ecur shpejt për të mbyllur me shtresën e konglomeratit deri në fillimin e pjesës së gjurmës së re, që siç the, ndjek gjurmën e lumit, pra shtratin e lumit. Të gjitha këto së bashku, pra bypassi i Vlorës, pjesa e gjurmës që ne po inspektojmë sot edhe ai bypassi i vogël që kemi bërë në hyrje të tubave të tunelit, do të jenë të gjitha gati për të qenë në përdorim të qytetarëve dhe të vizitorëve të jugut duke filluar nga java e parë e korrikut”, u shpreh Balluku.
Ministrja Balluku kërkoi që punimet për ndërtimin e këtij aksi rrugor të mos krijojnë pengesa për qarkullimin e automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit veror.
“Nuk duhet të harrojmë që në sezonin e verës ne kemi problematikën e trafikut të rënduar dhe sigurisht nuk duam që të shqetësojmë të gjithë shoferët edhe të gjithë vizitorët. Kështu që gjatë sezonit veror përsa i përket kësaj vepre do të punohet vetëm në gjurmën e re, pra vetëm në ndjekjen e shtratit të lumit edhe në 3 kantieret e tjera që janë funksionale”, nënvizoi Balluku.