Pamjet e mëposhtëme vijnë nga aksidenti tragjik i ndodhur në Bullgari, ku një autobus maqedonas u përplas dhe mori flakë dhe si pasojë të paktën 45 persona mbetën të vdekur, mes të cilëve 12 fëmijë.
Ngjarja ndodhi në një autostradë rreth orës 02:00 me orën lokale (00:00 GMT) pranë fshatit Bosnek, në jug-perëndim të kryeqytetit Sofje.
Autobusi po transportonte turistë nga Maqedonia e Veriut. Shkaku i përplasjes dhe zjarrit po hetohet. Zyrtarët thanë se automjeti dukej se kishte goditur një pengesë autostrade para se të merrte flakë.
Ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani tha se autobusi po kthehej në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup nga një udhëtim në fundjavë në qytetin turk të Stambollit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Zona përreth vendit ku ndodhi incidenti i së martës në autostradën e Strumës tashmë është mbyllur. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë automjetin e djegur nga zjarri.
Pas mbërritjes në vendngjarje, Ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin “të djegura plotësisht”, raporton BTV.