Rajoni

Abdixhiku: Shkojmë në zgjedhje të parakohshme nëse Kurit nuk…


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:11 - 02/04/21 |
Opi Nion

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të heqë dorë nga ndryshimi i Ligjit të zgjedhjeve, pasi siç thotë kjo parti opozitare, me këtë veprim, qeveria po e “shantazhon opozitën”.

“Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti ose nuk dëshiron të zgjidhë ketë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t’u përballur me probleme të mëdha të cilat ka premtuar se do t’i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media të mbajtur në mbërmjen e së premtes.

Abdixhiku tha se nëse Kurti nuk heqë dorë nga ndryshimet e këtij ligji, atëherë ai qëllimshëm dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje.

Këto deklarata të Abdixhikut vijnë pasi Qeveria e Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të cilin ia procedoi kuvendit, ku duhet të marrë miratim e deputetëve në dy leximet.

Seanca për ndryshimin e këtij ligji, që i mundëson diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë, pritët të mbahet të premtën, para se deputetët të votojnë për presidentin e ri të vendit. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje e ka të pamundur që ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, pa pjesëmarrjen e deputetëve të LDK-së.

Më herët gjatë së premtes, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media, tha se tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare që me procedurë të përshpejtuar të bëhen ndryshimet në këtë ligj dhe nëse lejojnë afatet kohore, seanca për presidentin do të thirret të premten.

“Varësisht nga afatet kohore do të procedojmë me kërkesën e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit”, tha Kusari-Lila.

Ajo konfirmoi se për postin e presidentit tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe se për këtë post kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy këta kandidatë, ishin pjesë e Listës së Vjosa Osmanit, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në kuadër të Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Republikës kemi konfirmimin se janë 80-të të vullnetshëm që të marrin pjesë në procesin e votimit. Përderisa, ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Më herët gjatë së premtes, edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

Kusari-Lila tha se procedimi i ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet para zgjedhjes së presidentit, nuk është shantazh për partitë e tjera, por mbajtje “e premtimit elektoral”.

“Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, është e pashmangshme shkuarja në zgjedhje”, shtoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance plenare të mbajtur të premten, paralajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së kryesisë së kuvendit, ku është shqyrtuar kërkesa për Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, nënkryetari i kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se e kupton rëndësinë e reformës zgjedhore, por nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë, pa pasur mundësi që edhe institucionet e tjera, siç është Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile, të japin kontributin e tyre.

Kundër ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme është shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ata do ta kundështojnë të njëjtin edhe gjatë senacës.

“Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxirret për amendamentin dhe ndryshim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë të zgjedhur dhe për të zgjedhur. Është e papranueshme për ne që në rrethana ku ky ligj nuk është absolutisht prioritet, të ballafaqohet kuvendi dhe partitë politike me një ndryshim të tillë”, tha Tahiri.

Miftaraj: Kontrabandim dhe jo ndryshim i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po e konsideron “kontrabandim” dhe jo ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, që me procedurë të përshpejtuar ta ndryshojë këtë ligj, para se të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës.

Përkundër faktit, se ndryshimi i këtij ligji ka qenë premtim zgjedhor i LVV-së, sipas Miftarajt, një qasje e tillë e partisë së Kurtit, bie në kundërshtim me një varg politikash dhe obligimeve që ka Republika e Kosovës në raport me miratimin e një ligji të rëndësishëm, siç është Ligji për zgjedhjet e përgjithshme.

“Në radhë të parë, çdo ligj i miratuar në Kuvendin e Kosovës kërkon të plotësojë disa standarde minimale, që nënkupton përfshirjen e pozitës, opozitës, shoqërisë civile, por edhe partnerëve ndërkombëtarë. Me rastin konkret, po flasim për një ligj të rëndësisë kaq të veçantë, i cili si duket më shumë shihet si kontrabandë sesa plotësim-ndryshim i një ligji”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Miftaraj kritikoi formën e miratimit të këtij ligji, duke e quajtur një praktikë “të keqe”.

Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës, mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.

Edhe organizatat që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, që të tërhiqet nga nisma për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Përmes një letre publike, shtatë organizata joqeveritare: Demokraci Plus, Instituti Demokratik i Kosovës, Demokraci për Zhvillim, Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres, Instituti i Kosovës për Drejtës dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu), kanë thënë se përkundër që vendi ka nevojë të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Qëndrimi i opozitës për Osmanin

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.

Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie, që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit./ Burimi: REL

Pas