Nga Skënder Minxhozi
Ka një interesim të madh këto orë në rang botëror, për atë çka fshehin 11.5 milion mesazhet elektronike të dosjes “Panama Papers”. Presidentë, kryetarë qeverish, miliarderë, këngëtarë e sportistë të famshëm, të gjallë e të vdekur me një farë emri, po shfaqen në listat që mediat ndërkombëtare po nisin të botojnë dora-dorës. Jo pa krijuar edhe dyshime rreth politikave të botimit, si fjala vjen, për mungesën e shtetasve amerikanë në listat e publikuara.
Në vendin tonë interesimi për të gjetur se cilët janë parellinjtë që kanë fshehur milionat merr një përmasë edhe më egoiste, provinciale dhe pse jo edhe agresive. Agresive, aq sa edhe sipërfaqësore. Dhe ja sepse!
Prej 25 vjetësh Shqipëria ka qenë një vend pa rregulla loje. Një demokraci e dobët dhe e korruptuar, që ka lundruar në lumenj parash të dyshimta, ndërkohë që arka e shtetit ka mbetur gjithnjë bosh, për shkak të evazorëve të të gjitha përmasave që kanë vjedhur shtetin, duke shtuar vilat dhe fryrë llogaritë bankare. Disa prej këtyre llogarive dihet se nuk ndodhen këtu, por larg, shumë larg. Pse jo, edhe në parajsat fiskale, njëra prej të cilave, Panamaja, duket se hapi më në fund disa nga fletët e “byrekut” planetar.
Deri tani kanë dalë fare pak detaje nga lista shqiptare e “Panama Papers”. E kuptueshme, derisa vendi ynë ze një vend fare periferik e të parëndësishëm në listën gjigande të emrave të shquar nga të katër cepat e globit. E megjithatë aludimet në opinionin publik shqiptar, mediat dhe skenën politike kanë nisur tashmë të fuqishme. Faqet e para të shtypit dhe emisionet televizive flasin për disa mijëra mesazhe që kanë të bëjnë me listën shqiptare të dosjes, kur për emrat konkretë thuhet se javët e ardhshme do të rezervojnë surpriza. Ndërkaq, klasa politike nuk ka humbur asnjë sekondë, për të “zbuluar” paratë e fshehta të kundërshtarit në kontot panameze.
E gjithë kjo ngjarje, si çdo eveniment i bujshëm, po pëson gradualisht procesin e saj të deformimit e banalizimit. Për shkak se gjithçka shihet dhe zbërthehet vetëm politikisht, për interes të njërit ose tjetrit. Vetëm me një emër në faqet e shtypit, atë të një biznesmeni të afërt me opozitën e sotme, dhe debati duket i gatshëm për të shpërthyer. Imagjinoni sikur lista të shtohej me disa emra të tjerë personash publikë!
Skandali “Panama Papers” shënon në fakt një “jo-ngjarje”. Kështu e komentonte edhe një pjesë e medias perëndimore rrjedhjen gjigande të informacionit rreth mashtrimit financiar të Mossak-Fonseca-s. Është një jo-ngjarje për shkak se dihet botërisht roli dhe pozita e parajsave fiskale, në fshehjen e pasurive dhe evazionin gjigand që krijojnë për shumë vende të botës. Në rastin shqiptar, ka edhe një rrethanë tjetër, shumë më banale dhe të mirënjohur, që e bën relativ dhe disi qesharak peshën e “Panama Papers”.
A duhet vërtetë që të shkohet deri në anën tjetër të botës, që të merret informacion për korrupsionin dhe shkeljet financiare të elitave politike dhe atyre të biznesit në vendin tonë?
Nëse doni të shihni një “Panama Papers” akoma më të madhe sesa ajo që po boton sot media e gjysmës së botës, shqyrtoni më parë letrat e lëna pas nga kriza financiare e vitit 1996, piramidat, siç quhen ndryshe. Më pas bëni një ndalesë tek kostot njerëzore, ekonomike dhe financiare të kaosit të një viti më pas. Më pas nëse dëshëroni, ndaloni tek koncesioni i aeroportit, Telekomi, rruga Durrës-Kukës, Gërdeci, 21 janari, pa harruar akuzat e sotme ndaj qeverisë aktuale, sa për të përmendur vetëm disa nga mysybetet e tranzicionit shqiptar.
Panamja jonë fshihet këtu mes nesh, shkoni shihni vilat nëpër plazhet e fshatrat turistike, dilni shihni ku pushojnë, ku kurohen dhe ku i harxhojnë paratë politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët, e do të keni një dosje edhe më të madhe se ajo që po lexojmë këto orë. Për të gjitha këto arsye, “Panama Papers” është në fakt një lajm që s’përbën lajm për ne shqiptarët.