Policia turke tha të martën se ka arrestuar katër persona lidhur me postimet “provokuese” në rrjetet sociale, pas tërmetit të fuqishëm prej 7.8 ballësh që goditi juglindjen e Turqisë.
Tërmeti goditi Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës duke vrarë mbi 5.000 persona në këto dy shtete dhe duke plagosur mijëra të tjerë.
Për shkak të tërmetit të fuqishëm, që u pasua me dridhje të tjera të fuqishme të tokës, shumë persona kanë mbetur pa strehë e në temperatura të ulëta.
Katër persona u arrestuan pasi zyrtarët policorë zbuluan llogari në rrjetet sociale që kishin shpërndarë “postime provokuese që kishin qëllim të nxisnin frikë dhe panik”, tha policia.
Zyrtarët e rendit në Turqi shtuan se kanë nisur një hetim të gjerë lidhur me llogaritë në rrjetet sociale, por nuk treguan se çfarë përmbajtje kanë këto postime.
Rrjetet sociale në Turqi janë mbushur me postime të njerëzve që ankohen se ka mungesë të përpjekjeve për kërkim-shpëtim në zonat e tyre, veçanërisht në Hataj.
Policia duket se ka adresuar këto pretendime të martën.
“Adresa dhe informacionet e lokacionit për qytetarët që kërkojnë ndihmë konstatohen menjëherë dhe bëhet koordinimi”, tha Policia turke.
Autoritetet turke në vitet e fundit kanë shtypur postimet në rrjetet sociale, veçmas ato që i kanë konsideruar se mbështesin “terrorin”. Por, një qasje e tillë ka çuar në akuza se liria e shprehjes është kufizuar./REL