Twitter ka pësuar një “rënie masive të të ardhurave” për shkak të reklamuesve që ndaluan shpenzimet në platformën e mediave sociale, tha të premten Elon Musk, pronari i ri i kompanisë, pa dhënë numra.
Në një postim në Twitter, CEO i Tesla, Twitter dhe SpaceX e hodhi fajin mbi “grupet aktiviste që u bëjnë presion reklamuesve”. Ai tha se Twitter nuk e ka ndryshuar strategjinë e tij të moderimit të përmbajtjes dhe shtoi se kompania ka bërë “çdo gjë që mundemi për të qetësuar aktivistët”.
Twitter vazhdon të goditet nga mungesa e reklamave, duke pësuar një rënie prej 40% në të ardhurat pasi më shumë se 500 klientë kanë ndaluar investimet e tyre në këtë media sociale.
Të ardhurat ditore të kompanisë ranë 40% nga viti në vit dhe më shumë se 500 reklamues kryesorë të Twitter kishin ndalur shpenzimet që kur Elon Musk e bleu atë në tetor.
Reklamimi është burimi kryesor i të ardhurave për Twitter, duke zënë më shumë se 90% të të ardhurave të tij prej 5.1 miliardë dollarësh në vitin 2021, por klientët duke përfshirë Audi dhe Pfizer janë ndër firmat që kanë ndaluar reklamimin pas blerjes prej 44 miliardë dollarësh nga CEO i Tesla.
Shqetësimet në lidhje me një rritje të gjuhës së urrejtjes në platformë pas blerjes i ka shtyrë reklamuesit të tërhiqen.
Musk përsëriti pikëpamjet e tij të premten në një intervistë në Konferencën e Investimeve Baron.
“Ne nuk kemi bërë asnjë ndryshim në operacionet tona. Ne kemi bërë më të mirën tonë për t’i qetësuar ata dhe asgjë nuk po funksionon. Pra, ky është një shqetësim i madh. Dhe unë mendoj se ky është sinqerisht një sulm ndaj nesh”, tha Musk.
Twitter ka pushuar nga puna afërsisht 50% të punonjësve të tij. Ditët e fundit, një numër kompanish thanë se do të ndalonin përkohësisht shpenzimet e tyre të reklamave në Twitter për të parë se si do të ndryshonin gjërat atje nën pronësinë e Musk.