Kryeministri Edi Rama thotë se tashmë Shqipëria ka kryesimin e Procesit të Berlinit, gjë e cila është propozuar nga kancelari gjerman, Scholz.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan thotë Shqipëria respektohet ndërkombëtarisht.
Kreu i qeverisë u kërkon politikanë, gazetarë, artistë, sportistë që të mësojnë nga kolegët e huaj e të mos e shajnë Shqipërinë.
“Sot Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm. Më 6 dhjetor në Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht. Ne mbetemi një vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën, durimin e punën tonë për t’u zgjidhur, por ne sot kemi fituar respekt duke u dhënë të gjithëve respekt, por edhe duke kërkuar respekt nga të gjithë. Lutem çdo ditë që të gjithë ne, shqiptarët, në radhë të parë ata që komunikojnë me botën, politikanë, gazetarë, artistë, sportistë e të tjerë, ta mësojmë nga popuj të tjerë pa humbur akoma kohë të pafundme, se Shqipëria është shtëpia jonë, që nuk shahet kurrë në gjuhë të huaj, por vetëm mbrohet e promovohet për njëmijë e një të mirat e saj. Ndërsa për të metat e mangësitë, dëmtimet e riparimet që ka nevojë, na del e tepron ta bëjmë në shqipen tonë të bukur dhe të pasur”,-shkruan Rama./Opinion.al