Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me ndalimin e dy personave me shtetësi çeke në tunelet e Uzinës së Poliçanit.
Përmes një njoftimi bëhet me dije se përveç dy shtetasve çekë u shoqëruan edhe bashkëjetueset e tyre, gjithashtu çeke.
Njoftimi
Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.
Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.
Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend.