Presidenti, Ilir Meta, në një konferencë për mediat me Presidenten Vjosa Osmani, në vizitën e tij të fundit zyrtare si President në Kosovë, ka sjellë në vëmendje ngjarjet e vitit, 1999 kur qytetarët kosovarë janë detyruar që të largohen nga vendi i tyre si pasojë e sulmeve serbe.
Meta rrëfeu një episod të dhimbshëm të asaj kohe, të një vajze të vogël që qante në Kukës në vetmi dhe tërhoqi vëmendjen e ministres së Brendshme të Italisë.
Kukësi ishte vendi në të cilin shumë familje kosovare u strehuan gjatë luftës.
“Duke ardhur dje në Prishtinë po mendoja 4 javët e para të situatës në Kukës pas nisjes së ndërhyrjes së NATO-s në 24 mars 99 ditën kur mbushja 30 vjet. Kujtoj ato pamje të pabesueshme për javë të tëra të nënave të moshuarve të fëmijëve që vinin të shpëtonin jetën e tyre dhe të afërmit.
Ngadhënjeu dhe shkëlqeu fisnikëria e kuksjanëve, të pambështetur nga shteti, kanë qenë javë të paharruara dhe që krijuan bindjen se nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet.
E para vizitore në Kukës ishte ministrja e Brendshme e Italisë. Asaj i bëri përshtypje një vajzë e vogël që qante më vete. E pyeti si e quanin. Saranda u përgjigj vajza. Më bëri shumë përshtypje sepse është një emër shumë i veçantë dhe shpresoj që ajo vajzë të mos ketë humbur familjarët si shumë fëmijë të tjerë.
Ka pasur një garë të madhe në Kosovë të çojnë më shumë Saranda në Sarandë. Emrat tregojnë sa e fortë është vëllazëria jonë dhe dashuria për njëri tjerin”, u shpreh Meta.