Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka dhënë një mesazh për drejtuesit e mjeteve që kanë humbur të gjitha pikët e lejës së drejtimit.
DPSHTRR bën me dije se sot priti 13 rastet e para, ku u paraqitën vetëm 6 aplikantë dhe që të 6-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur.
“Mesazh i fortë nga DPSHTRR për humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit, ata që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës, duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!
Sot DPSHTRR priti 13 rastet e para, ku u paraqitën vetëm 6 aplikantë dhe që të 6-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor.;
Humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit të cilët i nënshtrohen ritestimit përfshijnë rastet më të rënda të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor si: përdorimi i alkoolit ose i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerje e normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara e të rrezikshme që kërcënojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
DPSHTRR i bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë, do ta rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalohet testi i praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund të shmanget vetëm duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë!”-shkruan DPSHTRR.