Një 38-vjeçar ka rënë në pranga, pasi akuzohet për një seri vjedhjesh në QSUT. Sipas policisë, 38-vjeçari shtirej si pacient dhe duke përfituar nga urgjencat mjekësore, kryente vjedhje të sendeve personale të pacientëve, që shkonin për të marrë mjekim dhe për të kryer vizita mjekësore.
A. Gj., 38 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, është kapur në flagrancë duke vjedhur një shumë parash në automjetin në pronësi të shtetasit R. Rr., në ambientet e spitalit QSUT, i cili kishte shkuar për vizitë mjekësore. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar 1 milion lekë të rinj, një orë dore dhe një çakmak.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ai, duke u shtirur si pacient në QSUT, përfitonte nga rastet e urgjencave mjekësore dhe vidhte sende të personave që shkonin për mjekim në spital.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se shtetasi A. Gj. është autor i disa rasteve të vjedhjeve të ndryshme, të ndodhura kohët e fundit, në ambientet e QSUT-së dhe në rrugën e Dibrës.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Opinion.al