Teksa e shumica e vendeve në botë fajësojnë Presidentin Vlasimir Putin për sulmet në Ukrainë, ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB, Pino Arlacchi mendon ndryshe.
Arlacchi shprehet se zgjerimi i NATO-s pa fund në lindje ka sjellë si rezultat këtë përplasje të armatosur.
“Shkaku kryesor i krizës në Ukrainë është zgjerimi i pafundmë i NATO-s, çka ka bërë që Rusia të mendojë se po kërcënohet dhe të reagojë. E kam thënë që ky është një problem që vijon prej 20 vitesh. Bashkimit Sovjetik iu sigurua që NATO nuk do të zgjerohej në lindje, por zgjerimi vijoi. Shtetet e reja të anëtarësuara në NATO ndajnë kufi me Rusinë dhe Rusia nuk po e toleron më këtë”, tha Arlacchi në një intervistë për Televizionin Shtetëror Kinez.
Ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB thotë se sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore do të dëmtojnë më shumë ato sesa Rusinë, për shkak se ai është një vend me nivel shumë të ulët të borxhit të jashtëm, dhe eksportues i madh.
“Mendoj se zgjidhja për këtë situatë është e thjeshtë. E kanë në dorë vetë shtetet europiane. NATO duhet të deklarojë se Ukraina nuk do të anëtarësohet. Nëse e hedhin këtë ide në letër dhe nënshkruajnë një traktat ndërkombëtar, situata zgjidhet”, tha Arlacchi./ Opinion.al