Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet në akset e vendit me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Në një njoftim për mediat bëhet me dije se gjatë 48 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh, që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Kështu, autoritetet njoftojnë se janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 68 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2871 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Ndërkohë nga Policia Rrugore e Tiranës, janë evidentuar dhe ndëshkuar dy drejtues automjetesh: Shtetasja S.D., me automjetin tip “Renault”, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, ka kryer manovër të gabuar, duke qarkulluar në sens të kundërt. Shtetases S.D., i është pezulluar leja e drejtimit për 12 muaj, janë zbritur 3 pikë nga leja e drejtimit dhe është ndëshkuar me masë administrative 6.000 lekë të rinj.
Si dhe shtetasi E.M., duke drejtuar automjetin tip “Audi”, ka kryer parakalime të gabuara dhe me shpejtësi, duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me 30.000 lekë të rinj, pasi drejtuesi i mjetit është rezident në një shtet tjetër./Opinion.al