Presidenca ka reaguar menjëherë pasi Kuvendi votoi pro shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi në një reagim në rrjetet sociale e cilëson vendimin antikushtetues dhe qesharak.
“Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!
Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.
Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl! Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar. Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!”, shkruan Tedi Blushi.
Më herët Kuvendi me 104 voto pro, 7 kundër dhe 3 abstenim shkarkoi nga detyra Presidentin Meta. Sipas Kushtetutës, tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese e cila duhet të konfirmojnë ose rrëzojë vendimin e Kuvendit./Opinion.al