Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka postuar në “Facebook” një tjetër video të përgatitur nga stafi i kryeministrisë.
Në këtë video, qeveria u tregon qytetarëve se si funksionon Urgjenca gjatë situatës së pandemisë, duke shkruar se ajo është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë.
Krahas kronikës së “ERTV”, Rama shprehet se qeveria e tij ka zhvilluar sistemin e shëndetësisë, ndërsa shkruan; “largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi!”
Po ashtu, Rama ka thumbuar opozitën, duke i cilësuar si persona që punojnë kundër atyre që luftojnë me COVID-19
“URGJENCA KOMBËTARE e Shqipërisë është sot një shembëlltyrë e simotrave në Europë dhe vetëm ta mendosh se çfarë do të kishte hequr ky popull, sikur largqoftë Armiku i Padukshëm të na kishte gjetur me autoambulancat rrangalle e me linjat fikse të telefonave të zinj të kohës së qepës, që ishin të vetmet mjete të urgjencës deri 7 vjet më parë, të rrëqethet mishi! #RESPEKT për ekipin fantastik të Urgjencës Kombëtare që në këtë kohë të mallkuar i gjendet pranë popullit 24 orë papushim dhe ka shpëtuar mijëra jetë, nën trysninë e dyfishtë të ofensivës së virusit vrastar e të baltës lehëse të atyre që luftojnë kundër nesh, teksa ne luftojmë me mish e me shpirt me Armikun e Padukshëm”-shkruan Rama./ Opinion.al