Lajmi për sekuestrimin e makinës së blinduar të Edmond Kosenit solli edhe njëherë në vëmendje ish-kreun e policisë së Elbasanitl, i cili spikati për drejtimin me dorë të hekurt.
Në një prononcim për ABC News, Koseni tha se nuk u shoqërua nga policia dhe se e dërgoi vetë makinën në drejtorinë e policisë dhe kjo sipas tij është procedurë normale për këtë kategori makinash.
“Makinën e kam blerë me lekët e mia, e kam të rregullt. Duke qenë se është e blinduar policia bëri procedurën për verifikim. Nuk jam shoqëruar, makinën e dërgova vetë. Ajo që bëri policia është procedurë si për të tjerët për këtë kategori makinash” tha ai.
Edmond Koseni njihet si komisari i Peqinit të vitit 1997, i vetmi vend ku nuk u shpërthyen depot e armëve. Ai arrestoi Nehat Kullën e Tan Kateshin emra të famshëm të botës së krimit. Koseni u bë drejtori i parë në rang qarku në Policinë e Shtetit, duke administruar dhe drejtuar punën hetimore të 5 komisariateve.
Më pas ai u pezullua nga detyra për më shumë se dhjetë vjet, i akuzuar për ushtrim të “torturës me pasoja të rënda”, ndërsa është akuzuar se dhunonte personat që ndaloheshin në momentin e shoqërimit në Komisariat.
Në vitin 2016 gjykata vendosi rikthimin e tij në detyrë me të njëjtën gradë, ndërsa e dëmshpërbleu për shkarkimin me pagat e 11 viteve që e la pa punë.
Por edhe pse kanë kaluar 4 vite, Koseni thotë se ai vendim nuk është zbatuar dhe se punon te fabrika e çimentos. “Nuk dua të flas shumë se jam i lodhur. Akoma nuk më kanë ofruar rikthimin. Unë rrogën e marr te fabrika e çimentos” tha ai./ Opinion.al