Edhe pse zyrtarisht nuk jemi në fushatë, duket se për socialistët ajo ka nisur që pas mbledhjes së kryetarit Rama me grupin parlamentar.
Këtë radhë, ai që sjell atmosferën e fushatës ndoshta shumë më shpejt nga sa pritjej, është pikërisht kreu i grupit Taulant Balla. Përmes një postimi në rrjetin Facebook ai ka ndarë momente nga mbledhja e Partisë Socialiste e bashkisë Përrenjas, ku informon se i ka njoftuar socialistët e Përrenjasit mbi opinionin që anëtarësia duhet të japi për performancën e ministrave dhe deputetëve. Ishte ky një vendim që doli nga mbledhja e kryesisë socialiste pak ditë më parë.
“Në mbledhjen me Asamblenë Socialiste të Bashkisë Prrenjas i informova se: “Gjatë tetorit-dhjetorit 2020 përmes komunikimit virtual do të merret opinioni nga anëtarësia e partisë në një kanal të posaçëm dhe nga qytetarët në një kanal tjetër mbi performancën e ministrave dhe deputetëve. Konkurimi me lista të hapura ka sjellë si domosdoshmëri krjimin e një një dritareje për thithjen e propozimeve nga baza socialiste dhe nga qytetarët”, shkruan kryetari i grupit socialist.
Por ndërsa ndan disa foto nga takimi, posterat e të cilit të kujtojnë sloganet e fushatës, ajo që përforcon edhe më shumë këtë ndjesi është shënimi i deputetit Balla, kur shkruan se shqiptarët nuk kanë alternativë më të mirë se PS.
“Shqiptarët, sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa Partia Socialiste, madje sot ka edhe më shumë arsye për të na ribesuar drejtimin e vendit, më shumë sesa edhe tre vite më parë. Këtë njerëzit e dinë. Shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot s’na mjafton”, shkruan Balla pa lënë mënjanë kundërshtarin politik.
“Kundërshtari shumë i dobët dhe i pabesueshëm për t’i dhënë votën, nuk krijon një garë të mirëfilltë idesh, programesh dhe ekipesh. Zgjedhja sot në zemrat e shqiptarëve është e thjeshtë. Edhe në fletën e votimit në pranverë 2021 po aq. Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka një Kryeministër më të mirë sesa Edi Rama. Dhe Edi Rama do të jetë Kryeministër edhe për katër vitet e mandatit tonë të tretë. Jo pse përballë si kandidatë rivalë janë Saliu i veshur si Luli, Monika në vend të Ilirit, bashkë me Nardin, Dashin, Mediun apo Vangjel Dulen. Ne nuk do konkurojmë me ta. Ekipet tona në cdo qark nuk do të konkurojnë me ta, por me pritshmërirë e aleatit tonë të vetëm, njerëzit e thjeshtë.Tërmeti dhe pandemia nuk ishin ngjarje dosido, por janë nga ato ngjarje që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë dhe jo më të një qeverie. Dhe shqiptarët janë dëshmitarë dhe gjyqtarë të pagabueshëm”, shkruan Balla në publikimin e tij./Opinion.al