Në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, drejtuesit politikë në vend kanë përcjellë vlerësime dhe mirënjohje për veprën e shenjtores shqiptare.
Presidenti Meta
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Presidenti Meta ka ndarë një video të Nënë Terezës, duke cituar edhe disa fjalë të saj. “Mbase ju nuk jeni të uritur për një copë bukë, por ndoshta është dikush atje në familje që është i padëshiruar, pa dashuri, pa kujdesje, i harruar. Atje është dashuria! Dashuria fillon nga shtëpia juaj! Një dashuri që është e vërtetë, dhemb! Kjo është ajo çfarë unë solla për ju. T’i jepni njëri-tjetrit më shumë dashuri!”, shkruan Meta
Më tej presidenti vlerëson se në këtë ditë, që është gjithashtu Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, vjen më i fortë se kurrë mesazhi se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim, ndaj kujtdo që ka më shumë nevojë për të përballuar mjerimin, varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.
Kryeministri Rama
Me një tekst të shkurtër, e ka shoqëruar gjithashtu një video Kryeministri Rama, ndërsa shkruan: “Me disa nga fjalët e shenjta të Nënë Terezës në ditën e saj të Shenjtërimit, ju uroj një fundjavë të paqtë si vetë ajo”.
Kryetari i Partise Demokratike, Basha
Lideri i opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar këtë ditë si një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi sot.
“Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të varfërit e të pamundurit, është mbi të gjitha një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar sa më shumë jetën e bashkëqytetarëve tanë që sot gjenden mes vështirësive dhe pamundësive. “Edhe ata që s’mund të bëjnë dot gjëra të mëdha, mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo thënie e Nënë Terezës le të jetë frymëzim për të nisur së bashku ndryshimin, për të ndërtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, me më shumë përkujdesje për të pamundurit, me mundësi për punë e jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, për ditë më të mira për popullin dhe vendin tone”, shkruan Basha./Opinion.al