Presidenti i vendit Ilir Meta ka ngritur shqetësimin e mungesës së mjekëve në vend. Duke iu referuar raporteve të OBSH, Meta shkruan se Shqipëria paraqet numrin më të ulët të mjekëve për banorë krahasuar me shumë vende në rajon dhe bën thirrje për zgjidhjen e këtij problem, të cilin e cilëson kardinal.
“Numri tepër i ulët i mjekëve për banor në Shqipëri është një problem shumë serioz i sistemit tonë shëndetësor. OBSH evidenton shumë qartë këtë situatë kritike në raportet e saj. Shqipëria paraqet numrin më të ulët të mjekëve për banorë se sa shumë vende të Ballkanit dhe kjo është e papranueshme. Shëndeti, si e mirë themelore e shqiptarëve duhet rivlerësuar nga qeveria, opozita dhe shoqëria civile dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë të problemit të mjekëve, të cilët përbëjnë zemrën e sistemit shëndetësor. Të mos hezitohet në asnjë çast për të bërë çdo investim që duhet nga financat publike për të zgjidhur këtë problem kardinal”, shkruan presidenti në një publikim në rrjeton Facebook.
Duke folur për situatën e krijuar nga Covid, presidenti thotë se personeli shëndetësor duhet motivuar dhe fuqizuar.
“Situatat që po kalon vendi lidhur me pandeminë COVID-19, janë provë shumë e qartë se pa një sistem shëndetësor plotësisht efiçient dhe të plotësuar me mjekë, shëndeti i qytetarëve do të jetë i rrezikuar. Sfidat e shëndetit publik janë në rritje ndaj duhen politika më largpamëse, jo vetëm për të frenuar largimin, por për të rritur, motivuar dhe fuqizuar personelin shëndetësor”, shkruan presidenti Meta./Opinion.al