Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se fondet e shpallura nga qeveria për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, nuk i mbulojnë nevojat e krizës dhe se ai është dakord me shqetësimet e Dhomës Amerikane të Tregëtisë.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se qeveria duhet të rialokojë fondet për PPP-të dhe ato të investimeve publike në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.
“Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë. Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike. Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës. Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë”, shkruan Basha.
Dhoma Amerikane e Tregëtisë i është drejtuar sot me një letër qeverisë shqiptare, duke i propozuar të ndërmarë disa hapa konkretë në ndihmë të biznesit të madh në këtë situatë tejet të veshtirë gjatë krizës së koronavirusit.
Ata i propojnë qeverisë të sigurohet që të gjitha bizneset, pavarësisht nga madhësia të kenë mundesi aksesi ne Fondet e Emergjences COVID -19 në mënyrë që të vazhdojne aktivitetin gjate kesaj periudhe.
Të sigurojë përfitime të Pagesës së Papunësisë për të gjithë punonjësit e kualifikuar, pavarësisht nga madhësia e kompanisë që po i pushon ata.
Të shtyjë parapagimin e taksave për vitin 2020. Taksat parapaguhen duke marrë parasysh të ardhurat e deklaruara gjatë së njëjtës periudhë një vit më parë.
Të konsultohet me palët e interesit përpara se të marrë vendime me pasoja te rëndësishme per bizneset. /Opinion.al