Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara janë aktualisht qendrat kryesore në shkallë globale të betejës me koronavirusin.
Kina ishte për disa muaj vendi i goditur më rëndë, me numrin më të madh të të infektuarve dhe të vdekurve nga COVID-19, por shifrat e fundit tregojnë se Italia dhe Spanja kanë një numër më të madh viktimash nga kjo sëmundje.
Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë thonë se gjatë natës së kaluar u regjistruan 738 të vdekur duke e çuar në 3400 numrin total të viktimave nga COVID-19 në këtë vend.
Parlamenti spanjoll ka miratuar kërkesën e qeverisë për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme dhe masat e ndalim qarkullimit që detyrojnë mbylljen e bizneseve dhe u kërkojnë banorëve të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi deri në mes të prillit.
Italia ku aktualisht numërohen më shumë se 74 mijë raste, mund të kalojë së shpejti Kinën për nga numri total i të infektuarve.
Situata po rëndohet edhe në Shtetet e Bashkuara. Sot shifrat e të infektuarve të konfirmuar arritën në mbi 69 mijë raste ndërsa ka pasur mbi 1000 të vdekur.
Ligjvënësit po përpiqen të shpejtojnë procesin e furnizimit të spitaleve me pajisjet e domosdoshme mjekësore për personelin që ka pasur mungesa maskash e mjetesh të tjera mbrojtëse si dhe aparaturash për pacientët.
Masat e rrepta për të ndalur përhapjen e virusit në komunitet i kanë dhënë një goditje të rëndë ekonomisë amerikane. Në përgjigje të nevojave të bizneseve dhe individëve, Senati miratoi mbrëmë një paketë stimulimesh prej 2 trilionë dollarësh për t’u ofruar kredi bizneseve, si dhe asistencë sociale punonjësve dhe familjeve amerikane.
Pritet që të premten paketa të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të marrë edhe firmën e Presidentit Trump.
Koronavirusit ka prekur çdo skaj të globit. Deri tani në shkallë globale ka më shumë se 487 mijë të infektuar dhe janë konfirmuar mbi 22 mijë të vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje qeverive në mbarë botën që të shtojnë prodhimin e paketave të diagnostikimit, si dhe të forcojnë infrastrukturën spitalore për të mjekuar pacientët, që të vihet nën kontroll përhapja e virusit.