Gjatë takimit me drejtuesit e strukturave të degës së PD të Korçës, lideri i opozitës Lulzim Basha, theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme parlamentare dhe lokale.
“30 qershori provoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë një proces të lirë e të ndershëm zgjedhor. Kërkesat tona janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje legjitime vendore të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore dhe çuarja para drejtësisë e gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve”- tha zoti Basha, i cili theksoi edhe shkeljet kryesore të konstatuara nga raporti i OSBE-ODIHR, që e bënë procesin të pavlefshëm dhe kriminal, si përshembull procesi i votimit pa dekret,mohimi i të drejtës së opozitës për të patur përfaqësuesit në proces, votimi me 1 kandidat, dhe regjistrimi i patericave të pushtetit në mënyrë të paligjshme.
Kreu i opozitës u shpreh gjithashtu i sigurt se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.“Largimi i Edi Ramës si kryeministër është i padiskutueshëm. Hetimi dhe gjykimi i politikanëve të kapur duke vjedhur votat është i padiskutueshëm. Prandaj ne i qëndrojmë deri në fund zgjidhjes politike përmes parimeve dhe jo Pazarit.”- u shpreh kryeopozitari nga Korça, duke refuzuar prerë çdo përpjekje për pazar.
“Edi Rama kërkon Pazar. Gjithë jeta e tij politike është Pazar. Kur nuk ka Pazar, shpërfytyrohet, çmendet. Kur nuk ka Pazar, përpiqet me lojën e vjetër “përça e sundo”. Nuk ka Pazar me Edi Ramën. Mercenarët dhe të shiturit tek ai dhe oligarkët e tij nuk e përçajnë dot as PD, as Opozitën. Fuqia jonë është bashkimi më i madh popullor në 3 dekada pluralizëm, është shumica 85% “Rama ik”, tha Basha në Korçë./Opinion.al