Mesa duket Jean-Claude Juncker nuk po e përjeton mirë fundin e mandatit të tij si kryetar i Komisionit Europian. Ai ka deklaruar se është i pakënaqur nga mënyra se si pasardhësja e tij është zgjedhur duke mos respektuar të njëjtin parim që u zgjodh dhe ai pesë vite më parë.
Gjatë një deklarate për mediat në Helsiki, Juncker tha se mekanizmi sipas të cili ai u zgjodh ishte më transparent dhe demokratik. Zgjedhja e presidentit të Komisionit Europian nga ana e grupimeve të ndryshme politike, nënkupton një marrëveshje mes palëve në bazë të të cilave ato do të respektojnë votën popullore.
Në të njëjtën mendje më Juncker ka qenë dhe ish-presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schultz. Sipas tij, Ursula von der Leyen i plotëson të gjitha kriteret për të qenë në krye të komisionit por procedura me dyer të mbyllura që u aplikua, sipas tij e çon Europën hapa prapa. Kjo mes të tjerave përfaqëson dhe një përçarje në Parlamentin Europian sipas Schultz.
E emëruar nga 28 vende anëtare, emri i ri i presidentes së Komisionit Europian duhet të miratohet nga parlamenti. Von der Leyen, ministre në qeverinë e Merkel, do të jetë në Strasburg në 16 Korrik për një debat në sallë. Të njëjtën ditë është parashikuar dhe votimi për emërimin e saj në presidencën e komisionit. Eurodeputetët kanë paralajmëruar një debat të fortë gjatë seancës. /Opinion.al