Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka folur në lidhje për 6 audio-përgjimet e publikuara gazeta gjermane “Bild”.
Duka është shprehur në “Top Channel” se fenomeni i shit-blerjes së votës nuk prek vetëm Durrësin, pasi sipas tij, ky fenomen është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, thekson se ndihmën e personave të përfshirë në veprimtari kriminale nuk e ka kërkuar vetëm PS, por dhe PD.
“Dako së bashku me PS, u munduan që të gjejnë përkrahjen e të fortëve për të fituar zgjedhjet në 2013-ën. Avdylajt përmenden sot se janë kapur nga përgjimet, por kjo ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Kjo ishte ideja e Ramës për të marrë pushtetin me çdo lloj kushti. Sepse ai dhe shumë të tjerë kanë pasur bindjen se ka qenë e vështirë për ta mposhtur PD-në, sepse edhe PD-ja është përkrahur në shumicën e rasteve nga njerëz me të kaluar kriminale. Në zgjedhjet e kaluara, pavarësisht 2013-s, ku PD-ja për shumë arsye qe shumë më inaktive se sa këta. Rama e kaloi këtë lloj steke, jo vetëm që kërkoi përkrahjen e tyre, por kaloi edhe në një mbështetje simbiotike që duket qartazi nga përgjimet që edhe strukturat e shtetit përfshihen në këtë çështje. Unë bëj vetëm dallimin që këta tashmë, jo vetëm që kanë pasur përkrahjen e të fortëve, por i kanë futur edhe në pushtet. Kur ti urdhëron një drejtues institucioni që të hyjë ky, apo ai në punë, kjo do të thotë që i ke dhënë pushtet ‘të fortit’. Kjo nuk ka ndodhur më përpara me qeveritë e kaluara të majta, apo të djathta”, tha Agron Duka./ Opinion.al E.Xh.