Në prag të sezonit turistik, vetëm në njërin prej portaleve më të mëdha të dhënies së pronave me qira, Booking.com, numërohen rreth 2122 apartamente të regjistruara për tu dhënë me qira nga Shqipëria. Pjesa më e madhe e apartamenteve të regjistruara janë në zonat turistike, shkruan revista “Monitor”.
Sipas faqes, në kryeqytet ka 240 apartamente të regjistruara, në Sarandë 717, në Durrës 242 dhe në Ksamil 212, pjesa tjetër janë të shpërndara në qytetet e tjera të vendit.
Shpesh, midis kompanive që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe autoriteteve lokale ka pasur një konflikt të vazhdueshëm mbi taksat që duhet të paguhen në shtet për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë, raporton “Monitor”. Edhe Administrata Tatimore në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme e kanë ngritur si problematikë pagesën e detyrimeve prej qytetarëve apo bizneseve që përdorin këto platforma.
Megjithëse vetë platforma “Booking” këshillon që sipas shteteve, pronarët e shtëpive të konsultohen me kontabilistët dhe të respektojnë legjislacionin, një gjë e tillu duket shumë e vështirë për t’u monitoruar nga organet e tatimeve./Opinion.al