Lulzim Basha ka marrë pjesë në takimin “Arti në mbrojtje të demokracisë”, organizuar nga Aleanca në Mbrojtje të Teatrit dhe Partia Demokratike. Basha tha se vendi ndodhet në një krizë të thellë, duke përsëritur se zgjidhja kalon nga krijimi i një qeverie tranzitore.
“Vendi ndodhet në një krizë të thellë, ekonomike, sociale dhe politike. Kjo krizë ka shtyrë opozitën në një vendim të paprecedentë, por moral dhe kurajoz nga një Parlament që vjen si rezultat i bashkëpunimit sistematik mes kupolës drejtuese të një partie dhe kupolës së krimit të organizuar në Shqipëri. Problemet janë mbajtur të fshehta nga një propagandë e shfrenuar, këtu jemi për të diskutuar edhe për të nesërmen. Kriza politike kërkon një zgjidhje akute, që kalon vetëm përmes kthimit të vullnetit të popullit nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Së pari, qeveri tranzitore pa njeriun përgjegjës për kthimin e qeverisë dhe shtetit në një bandë që i shërben interesave të bandave të tjera”, u shpreh Basha.
Ai tha se duhet të ndërmerren ndryshime, për të shmangur krizat ciklike të këtij lloji, ku Shqipëria bie herë pas here. Ashtu si edhe ditë më parë, Lulzim Basha foli sërish për ndryshime kushtetuese.
“Por kjo nuk mund të jetë më shumë se hapi i parë drejt një ndryshimi afatgjatë për probleme që e mbajnë peng vendin prej dekadash. Duhet të shmangim rënien në një cikël përsëritjeje siç ka ndodhur, kjo përfshin ndryshmet kushtuese, problematikat e sistemit zgjedhor, ndarjes së pushteteve. Mos ta shohim këtë betejë vetëm për largimin e kreut të këtij regjimi, por si një mundësi të jashtëzakonshme për të reformuar të gjitha ato aspekte të bashkëjetesës demokratike”, ka thënë Lulzim Basha./Opinion.al