Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, të enjten, ka lëshuar një deklaratë të fortë në lidhje me shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj nga kryeprokurorja Arta Marku.
Mustafaj deklaroi në studion e ‘Neës24’, se kryeprokurorja Marku ka shkarkuar drejtorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vënë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm një njeri të paaftë.
Duke shtuar se kryeprokurorja ka një “ves të keq”, punëson në poste kyçe njerëz të saj të afërt, pasi po vë në punë shoqet e saj.
“Një aspekt është se kryeprokurorja e përgjithshme nuk ka dhënë asnjë argument pas shkarkimit të prokurorit që heton Tahirin. Arta Marku po bën një gjë të papajtueshme me frymën që supozohet se do fusë reforma në drejtësi. Ajo po punëson shoqet e saj personale, njerëzit me të cilët ka lidhje emocionale. Kjo zhvlerëson parimësinë e këtyre lëvizjeve. Arsyeja e tretë lidhet me rezultatet me kryeprokuroren që po zëvendëson Hadarmatajt. Kemi një mori faktesh të tjera që tregojnë se kjo zonjë është profesionalisht e paaftë për të mbajtur barrë të mëdha,” tha Mustafaj.