Një valë e fortë zjarresh pyjore po prek Francën, Spanjën dhe Portugalinë, e nxitur nga temperaturat ekstreme që në disa zona kanë arritur deri në 43 gradë Celsius. Flakët kanë djegur sipërfaqe të mëdha pyjore, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë evakuime dhe masa të shtuara për të vënë situatën nën kontroll.
Në jug të Francës, një zjarr i madh ka përfshirë rreth 46 mijë hektarë tokë, duke detyruar evakuimin e afro 10 mijë banorëve. Sipas autoriteteve, pesë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 700 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve.
Për të ndihmuar autoritetet franceze, Komisioni Evropian ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile, duke dërguar katër avionë zjarrfikës nga Qipro dhe Suedia për të mbështetur operacionet në rajonin e Perpignanit.
Situata mbetet kritike edhe në Portugali, ku një zjarr pyjor në zonën e Vuzelës ka shkatërruar rreth 130 mijë hektarë bimësi. Ndërkohë, një pjesë e madhe e territorit portugez vazhdon të jetë nën rrezik të lartë ose shumë të lartë për zjarre, me katër rajone në veri dhe në qendër të vendit që mbeten në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta, shkruan A2CNN.
Edhe Spanja po përballet me disa vatra zjarri. Autoritetet po monitorojnë nga afër frontet aktive, pasi kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Sipas autoriteteve, temperaturat e larta, thatësira e zgjatur dhe erërat e forta pritet ta mbajnë të lartë rrezikun e zjarreve gjatë gjithë javës në vendet e Europës Jugore.














