Përkundër kritikave të ashpra nga SHBA, BE dhe nga brenda vendi qeveria shqiptare, respektivisht Edi Rama vazhdon t’i mbetet më besniku dhe më i nënshtruari autokratit të Ankarasë. Për shkak të investimeve të Turqisë, thuhet. Investime, të cilat mirëpo, sipas njohësve të rrethanave ndodhin kryesisht ilegalisht. Rrezikon Shqipëria BE-në për shkak të Erdoganit?
*Nga Arbana Xharra dhe Alon Ben-Meir
«Sulltani» i perandorisë iluzore osmane – kryetari turk Erdogan – detyron politikanë, si ashtu të nënshtrueshëm ballkanik që të realizojnë misionin e tij: rikthimin, riinstalimin e madhështisë së periudhës osmane. Për Erdoganin, ky mision, nuk është thjeshtë një detyrimi i parealizuar; viteve të fundit ai ka vënë në shënjestër Ballkanin (të cilin e konsideron plaçkë të lehtë), ku nën mantelin e bashkëpunimit kulturor ai funksionalizon me sukses agjendën e tij të islamit radikal. Ai investon shumë në infrastrukturë, institucione religjioze dhe përdor ndërmarrjet si leva (nga të cilat shënon poashtu përfitime të mëdha monetare) të planit të tij, për të shtuar e përforcuar ndikimin e tij në vendet ballkanike, të cilat i shërbejnë dizajnit të tij neo-osmanik. Ish kryeministri turk Ahmet Davutoglu përsëriste e lavdëronte vazhdimisht dhe me bindje të plotë vizionin grandioz të shefit të tij duke premtuar se deri në vitin 2023 (100 vjetorin e Republikës) deri në vitin 2023 Turqia do bëhet aq e fortë, me pushtet si perandoria Osmane dikur, në zenitin e saj.
Shtetet Ballkanike nuk kuptojnë ende se synimet e tyre për rritje ekonomike, mirëqenie, liri dhe demokraci të konsoliduara varen nga integrimi i tyre në BE e jo duke i shërbyer një diktatori të paskrupullt i cili shitet të jetë shpëtimtari i Ballkanit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë turke, investimet direkte të këtij vendi deri në fund të vitit 2016 kishin arritur një vlerë të kumuluar prej 10 miliarda dollarëve. Para një viti, gjatë një interviste që i dha Televizionit shqiptar «Top Channel», Erdogan tha Turqia të ketë investuar 3 miliardë dollarë në Shqipëri, duke shtuar: «Nuk e di se sa investime vijnë nga BE, mirëpo ne nuk do ndalemi».
Vendet e Ballkanit perëndimor, me përpjekjet e tyre, synojnë që të bashkohen Unionit, janë në udhë e sipër që të ndërtojnë marrëdhënie afatgjate me BE-në. Sipas paketës së fundit të zgjerimit që propozoi Komisioni Europian, Shqipëria do hap e para negociatat për anëtarësim. Kjo i pengon projektit turk. Turqia shtrinë muskujt e saj nëpërmjet investimeve duke tentuar që të fus Shqipërinë dhe vendet tjera ballkanike brenda orbitës së saj gjeostrategjike. Investimet turke në Shqipëri janë selektive dhe me një strategji të vënien nën kontroll të projekteve më të rëndësishme kombëtare, kështu për të pasur ndikimin maksimal politik dhe ekonomik në tregun e financave. Nën këtë regjim tashmë janë banka e dytë më e madhe e vendit, hidrocentralet, Metalshkrirëset industriale, ish Telekomi publik «Albtelecom» dhe operatori i telefonisë mobile «Eagle mobile».
Kryeministri Edi Rama, njëri nga ata që me gjithë zemër përkrah këto projekte. Rama është i njohur për marrëdhëniet e tij tepër të ngushta me Erdoganin (i vetmi udhëheqës europian që kujdeset për të bijën e autokratit). Aktualisht, kryeministri shqiptar shkon shpesh në Ankara për të biseduar rreth ndërtimit të një aeroporti në Vlorën turistike, qytet ky që gjendet 140 km në distancë nga kryeqyteti shqiptar.
Qytetarët shqiptar nuk e kuptojnë se investimet e Erdoganit janë vetëm një fasadë e qëllimit të tij kapital për të futur Ballkanin sa më thellë nën ndikimin dhe varësinë e tij që të realizoj vizionin për ta bërë Ankaranë qendrën kryesore të pushtetit, si në kohët e lavdishme osmane.
Përkundër ndërrimeve të ndryshme politiko-sistemore Shqipëria gjithmonë ka qenë, që nga themelimi i saj në vitin 1912, shtet sekular. Pas pavarësimit ajo u bë demokratike, monarkike dhe më vonë totalitare, mirëpo përherë në proces të sekularizimit sistematik të kulturës së saj kombëtare. Duke mos përfillur këtë proces historik dhe në kundërshti me trendin nacional socio-politik liberal të vendit Erdogani ndërton që nga viti 2015 xhaminë e madhe «Namazgja», e cila financohet nga ministria turke e religjionit «Diyanet» me 30 milionë Euro dhe bëhet nën patronazhin e presidentit turk.
Në fund të prillit, i ftuar në një platformë të Columbia University, ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati hodhi poshtë ekzistencën e ndonjë agjende islamoradikale të Erdoganit në Shqipëri. Kur pyetjet e të pranishmëve u bënë më kategorike ai reagoi plotë nerv: «Nuk është e vërtetë që Turqia ka ndërtuara xhaminë më të madhe në Shqipëri dhe se xhamia bëhet për nevojat e myslimanëve vendor». Ky deklarim i rrejshëm konsiston me qëndrimet tjera qeveritare, të cilat mohojnë faktin Erdogan të ketë financuar e inauguruar dhjetëra xhami nëpër Shqipëri.
Kryeministri shqiptar Rama, pra nuk është i vetmi që flirton kaq haptas me Erodganin. Gjatë një takimi me kryeministrin turk Binali Yildirim presidenti aktual Ilir Meta siguroi se dy vendet gjenden udhës për të përforcuar bashkëpunimin. Edhe ky injoron brengën e shumicës shqiptare, e cila është e bindjes se sa më shumë që Shqipëria t’i afrohet Turqisë aq më larg BE-së ikë.
Gjatë një bisede me botuesin e gazetës më të madhe të vendit «Tema», gazetari Mero Baze mësuam se edhe metodat e infiltrimit të ndërmarrjeve dhe projekteve ekonomike nuk mund të konsiderohen legale. Baze e di se investimet turke zhvillohen kryesisht nga një rreth i ngushtë biznesmenësh të Erodganit, investime që nuk realizohen nëpërmjet tenderëve legal. Ato bëhen ndër duar, privatisht dhe si të tilla Mero Baze i konsideron: «Të rrezikshme dhe problematike në rast të ndonjë destabilizimi politik të Turqisë. Rëndom sistemet e tilla autokratike konfrontohen me probleme, kështu që edhe Shqipëria nesër mund të hiqet e involvohet në atë batak ekonomik e politik të Turqisë. Kjo mund të ndodhë lehtë».
Në janar të këtij viti ishte deputeti opozitar Dashamir Shehi që alarmoi Parlamentin për «invazionin turk». «Unë jam kundër zgjerimit, shtrirjes së prezencës turke në Shqipëri. Nuk dua investime turke dhe turbulenca të politikës turke në vendin tonë. Të gjitha i mori Turqia; Kromin, Metalurgjinë, Shkollat, Aeroportet. Ne synojmë Europën e jo Lindjen». Kryeministri i reagoi kryesisht, duke i thënë të pi raki dhe të hajë planc. Kështu sillet qeveria edhe ndaj kritikëve tjerë. Me nënçmim ose më heshtje. Historiani dhe filozofi Xhemal Ahmeti në bisedë me ne tha se kritika nuk dëgjohet ngase pas qeverisë shqiptare, pushtetin më të madh në Shqipëri e kanë strukturat e Erdoganit. Ahmeti, pikërisht për të alarmuar rreth kësaj gjendjeje, në adresë të qeverive shqiptare publikoi një «Traktat për kulturosferën shqiptare», duke propozuar edhe masat për shpëtimin e shoqërive nga tendencat turke të Erodganit. Sipas tij një faj të madh kanë edhe mediat në Shqipëri, të cilat nuk kritikojnë sa duhet as atë çka bën Turqia në vendin e tyre e as atë çka ndodhë në Turqi. «Me këtë politikë Shqipëria i mbyll vetes çdo portë drejt perëndimit» është i bindur analisti me banim në Zvicër.
Në traktatin e tij Xhemal Ahmeti propozon hapa konkret për t’i bërë ballë salafizmit dhe erdoganizmit, ngase këto emisarë dhe ideolog të këtyre rrymave kanë infiltruar parti politike, institucione akademike dhe xhami në mënyrë masive në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe vende tjera ballkanike.
Nëpërmjet injeksioneve financiare Erdogan mban nën hipnozë Shqipërinë, deri sa mashtrimet dhe manipulimet e tij të rezistohen edhe më masivisht nga shoqëritë ballkanike. Nëse Shqipëria zyrtare vërtet dhe seriozisht e ka synim BE-në ajo nuk duhet të lejojë që Erdogan ta fusë vendin e tyre nën diktatin që shihet. Liderët shqiptarë gabojnë nëse besojnë se BE do të pranojë brenda vetes ndonjë anëtar të ri, i cili është thellë i martuar me Erodganin. Sidomos tash kur dëshirat e autokratit nga Ankaraja duken aq të zhveshura, të tejdukshme.
Europa e ka të qartë se qëllimi final i Erdoganit është që të ndërtojë një fuqi politike regjionale neo-somane, e cila do t’u bënte konkurrencë vlerave perëndimore, atyre të BE-së. S’kanë kaluar as disa javë nga deklarata e Alparslan Kavaklıoğlu, anëtarit të AKP-së dhe shefit të komisionit parlamentar mbi shërbimet sekrete, i cili tha: «Europa do të bëhet myslimane. Ne do të ndikojmë atje, kështu do Allahu. Për këtë jam i sigurt».
Ky vizion diplomatik, militarist i Turqisë do të mbijetoj aq sa të jetë në skenën politike Erdogani. Shqipëria dhe vendet tjera të Ballkanit duhet të kalibrojnë raportet e tyre me Turqinë. BE duhet ta shpreh qartë se Shqipëria duhet të respektojë Kartën e të Drejtave të Njeriut, lirinë dhe formën demokratiko-liberale të qeverisjes dhe se pa këto s’ka anëtarësim e as atëherë nëse vendi futet nën dominimin e atyre që shkelin aq brutalisht këto vlera siç bën Turqia e Erodganit.