“Mosbindja civile është revolucion, unë s’jam për këtë, por protestën e mbështes”. Kështu deklaroi sot deputeti i LSI për Fierin, Robert Bitri në një prononcim për Opinion.al.
Kjo është e para deklaratë që shkon përkundër opozitës së bashkuar, PD-LSI që mbrëmjen e djeshme bëri thirrje për mosbindje, për mospagimin e taksave. Bitri ka qenë si çdo ditë në mbledhjet e komisioneve parlamentare ndryshe nga deputetet e PD që janë duke protestuar përpara Drejtorisë së Policisë për të liruar protesutesit e Kukësit.
Bitri tha se nuk ka asnjë vendim nga grupi i LSI, për të bojkotuar komisionet (të paktën paraditen e së martës). Ai tha se do ta mbështesë protestën për lirimin e kukësianëve, por është kundër mosbindjes civile që u artikulua mbrëmë nga kryetarja e tij, Monika Kryemadhi dhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha.
Por ndryshe nga PD e cila është unison në qendrimin bojkotues ndaj parlamentit, nga radhët e LSI ka përjashtime, nuk ka qenë vetem Bitri por edhe shumë deputete të tjere, mes tyre Edmond Haxhinasto që kanë vazhduar punën normalisht në Kryesinë e Kuvendit.
Çfarë thanë mbrëmë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, në deklaratën e përbashkët nga selia e PD-së
Basha: Kemi dalë me një vendim unanim në krah të qytetarëve, njerëzve të thjeshtë që po vidhen dhe poshtërohen nga banda në pushtet, në krah të kuksianëve që iu mor buka e gojës. Shqipëria është në prag të humnerës ekonomike dhe sociale. Shkaktar është Edi Rama që qeveris me bandat dhe oligarkët. Në këtë vend s’ka zgjedhje, s’ka demokraci, pra këtu nuk ka më rregulla loje demokratike. Kështu shkojmë drejt mosbindjes qytetare që nis këtë javë, me refuzimin e taksës në Rrugën e Komit dhe me çdo taksë, si forma më e lartë e veprimit politik e qytetar.Synojmë rrëzojmë bandën në pushtet dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të drejta.
Kryemadhi: Mosbindje civile do të thotë, ti thuash Edi Ramës të heqësh dorën nga xhepat e qytetarëve nga dora e Edi Ramës. Ftoj këdo, edhe ju gazetarët të bëheni pjesë e kësaj mosbindje. Edhe ju, sepse pagat e ulta janë pasojë e keqqeverisjes. Edi Rama po instalon diktaturën. Mos ndaloni çdo ditë, bëhuni misionarë të atyre të burgosurve që janë mësim edhe për ne politikën. Ne do jemi kudo në dyert e gjykatave në përkrahje të atyre burrave që i dhanë dinjtet vendit.
/Opinion.al