Nuk di të mbajë sekrete, edhe nëse ndonjë prej tyre mund ta rezervonte për hatër të bashkëshortes, por nuk e bën. Që nga koha kur e ka bërë publike lidhjen e dashurisë, fejesën, martesën dhe më pas kur u bë baba i një djali, Sinan Hoxha, sikur fitoi më shumë pikë dhe vëmendje në publik. Veç fansave, tani po i shtoheshin edhe nga ‘klubi’ i Andrrës, edhe pse kjo e fundit vazhdon të kryesojë në rrjetet sociale krahasuar me të.
Gjithsesi, Sinani nuk e ka problem këtë pjesë. Me të mund të ulesh me net dimri, të të mbajë me muhabete dhe histori pa fund nga jeta artistike, por edhe nga ajo private. Prej kësaj të fundit, madje, përzgjedh edhe ndonjë histori pikante, me spec, të cilën e tregon me humor sa herë mundet… Si sot.
E fundit histori që ka nxjerrë nga jeta private është takimi i parë i nënës së tij me Andrrën – i mezipritur për të parën, me emocion për të dytën, por te Sinani u përkthye si skandal.
Kështu tha ai në takimin e fundit në “Boom”, i ftuar përballë Fiorit dhe Rozanës. Mes shumë historive nga karriera dhe jeta private, Sinani rrëfeu edhe takimin e parë të shumëpritur të nënës së tij me nusen e shtëpisë: “Ka qenë shumë skandal. Mamaja ime kishte vite që e priste. Në momentin e parë, sapo hyn Andrra, mamaja ime, mirë që filloi të qante (dihet kjo që filloi të qante), i merr dhe i puth dorën. Mua komplet tavani më ra sipër kokës. Mamaja ime i puthte dorën asaj… Unë e mora shumë keq. Duhet t’i puthte dorën Andrra asaj, por Andrra e humbi, edhe ajo mbeti…” – tregon Sinani, që nuk e fsheh ndjesinë për atë takim që, sipas tij, duhet të kishte shkuar ndryshe.
Por e ëma, edhe sot e kësaj dite, bëhet gjithmonë palë me Andrrën, jo me të birin: “Ajo në çdo debat bëhet palë me atë, është kështu gjithë kohën: “Ej, ka lënë Gjermaninë, ka ardhur në Tiranë për ty”, – i thotë ajo vazhdimisht si për t’i thënë Sinanit ta mbyllë gojën.
Sa me fat Andrra./revista class.al