Ide të çmendura raportohen së fundmi me protagonistë klubin italian të Juventusi-t. Shifra prej 222 mln eurosh që Paris SG pagoi për Neymar mund të mos qëndrojë edhe për shumë kohë si më e shtrenjta e historisë.
Kampionët e “Seria A”, sikundër pritej, të ndikuar nga situata pozitive ekonomike kanë vënë nën shënjestër sulmuesin e Tottenham, Harry Kane, me të cilin do të përballen në fazën e 1/8 të “Champions League” dhe janë të gatshëm të paguajnë 250 mln euro.
Spanjollja “Don Balon” raporton se bardhezinjtë nuk e kanë të gatshme këtë shumë por për t’ia vënë në dispozicion Allegri-t sulmuesin anglez do të heqin dorë nga Paolo Dybala. Gjithçka flitet se do të ndodhë në merkaton e verës.
Juventusi, – thotë “Don Balon”, – është i ndërgjegjshëm se nuk mund të luftojë në nivel ekonomik me të mëdhenjtë e Europës, kështu që nuk mund të tentojë blerjen e kampionëve të kalibrit Messi, Cristiano Ronaldo apo Neymar, por e konsiderojnë të mundshëm afrimin e Kane nga Tottenham.