Këshilli i Mandateve nuk ka rënë dakord të vazhdojë mbledhjen me dyer të mbyllura siç ka vendosur Kryetari i Seancës, pasi opozita ka kërkuar seancë me dyer të hapura.
Sipas rregullores, palët e kanë hedhur në votë këtë çështje dhe ka rezultuar një barazim votash 5 -5, duke mos shkuar në dakordësi.
Ndërsa deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që seanca të zhvillohet e hapur për mediat, në një dalje publike deputeti socialist Taulant Balla ka kujtuar se procese të ngjashme ku është diskutuar mandati i deputetëve Lulzim Basha, Ilir Meta apo shumë të tjerë në vite, janë zhvilluar me dyer të mbyllura.
E ndërsa palët nuk po bien në dakordësi, për të vijuar fazen e fundit te procesit ku pritet të përgatiet edhe drafti i raportit që më pas do të shkojë në Parlament, duket se çështja Tahiri ka mbetur pezull.
Si do të përgatitet ky raport dhe si do të ndahen palët?
Deputeti i LSI Nasip Naço ka deklaruar sot publikisht votën e tij për t’i thënë po heqjes së mandatit të deputetit Tahiri. Ndërkohë, demokratët ndonëse nuk e kanë thënë publikisht kanë qenë shumë të ashpër në diskutimet e tyre, çka bën të kuptosh se gjithashtu do të votojnë për heqjen e mandatit.
Ndërkohë socialistët, që u dukën se do e linin në baltë ish-ministrin janë kthyer në mbrojtje.
Nëse i referohemi shifrave: Komisioni i përbërë nga 10 anëtarë, në dukje është i shpërndarë në 5 përballë 5, ku në njërin krah janë 5 anëtarët socialistë të këshillit dhe në krahun tjetër janë 4 demokratë + votën e Nasip Naços.
Por edhe në këtë gjendje barazie situata nuk mbetet pezull. Votojnë apo nuk votojnë, në mazhorancë apo minorancë, cilido qoftë votimi, mandati i Tahirit do të kalojë në kuvend.
Ajo që ka vlerë në këtë pikë, është raporti që do të përgatitet.
Duke qenë se deputetët e kuvendit nuk kryejnë seancë dëgjimore me palët sikurse u krye nga Këshilli për votat e tyre ata do t’i referohen raportit që ju sjell Këshilli dhe mbi këtë raport do të votojnë për mandatin e deputetit Tahiri.
Ekspertë të procedurës, tregojnë për Opinion.al se në rast mosdakordësie për një raport të përbashkët, palët mund të dërgojnë në kuvend edhe dy raporte të ndryshme. Në çdo rast pas shqyrtimit, janë deputetët ata që vendosin fatin e ish-ministrit. /Opinion.al