3 javë pasi i vendosën një sasi tritoli në automjet, oficeri i policisë së Krimeve të Rënda në Komisariatin e Krujës, Trim Murataj, është kërcënuar sërish.
Në orët e para të së hënës, në oborrin e banesës së tij në rrugën “Kastriotët”, pranë shinave të trenit, në kthesën e Kamzës, një automjeti tjetër në pronësi të tij i është vënë zjarri. Autorët kanë shfytëzuar errësirën, ndërsa ngjarja dyshohet se ka lidhje sërish me detyrën e 38-vjeçarit.
Fatmirësisht, nga flakët nuk pati të lënduar, ndërsa banorët e zonës janë vënë në alarm dhe kanë lajmëruar menjëherë në numrin e emergjencave 112. Megjithëse ka deklaruar se nuk ka konflikte, oficeri Murataj ka shprehur dyshime se ngjarja mund të lidhje me shkatërrimin e parcelave të kanabisit në malësitë e Krujës dhe me personat të cilët janë arrestuar.
Sipas Muratajt, autorët mund ta kenë identifikuar atë nga pamjet e një operacioni të tillë që është filmuar dhe transmetuar nga një televizon gjerman, kur u godit një grup kriminal.
Policia ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa në vendngjarje janë mbledhur disa prova që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.