Nëna e Eneo Ferkos ka rrëfyer edhe tronditjen që pësoi, kur hapi SMS-të e djalit të saj të ndjerë dhe vajzës 17-vjeçare me të cilën ai kishte patur lidhje.
Në një intervistë për “Panoramën”, Aida tregon se si vajza 17- vjeçare tallej me të birin e saj, e përqeshte dhe e nxiste që të vetëvritej.
“Kishin filluar të flisnin dhe ky kishte bërë një video kur kishte pirë fostoksinën e që ta bindte vajzën, ia kishte nisur e ajo qeshte. Tallej, e nxiste dhe i thoshte se nuk ishte nga ata burra ai që të vdiste”, tregon ajo. Ajo ka edhe një apel për drejtësinë që të zbardhë të vërtetën. Pjesë nga intervista
Eneo e bëri gjithë këtë për një vajzë. Cila ishte ajo dhe çfarë ishte për Eneon?
Ajo ishte një 17-vjeçare nga Peqini, me të cilën u njoh në Facebook në muajin janar. Duke qenë se fëmijët e mi janë rritur me shumë halle për shkak të problemeve që ne prindërit e tyre kemi pasur sa ishim bashkë e pastaj ndarja jonë, djemtë ishin të palumtur. Ishte rritur mes dhimbjes. Dhe unë vura re që gjatë kohës që fliste me të, djali po çelej. Ishte i lumtur, gëzonte. Dhe kur më tha që fliste me një vajzë, nuk i thashë asgjë. U gëzova që ajo po ma bënte të lumtur djalin.
Sa kohë vazhduan kështu në komunikim dhe kur u takuan?
U njohën në janar dhe më 3 mars kishin lënë takim. Do të pinin kafe. Unë nuk dija gjë. Kishte ikur ta takonte. Vetëm kur erdhi më tregoi që e kishte takuar, ndërsa djali i vogël më tha që ishte bërë gjithë baltë nga trupi djali, gjithë rrobat. Nuk i thashë asgjë, por dyshova se mund ta kenë rrahur njerëzit e saj. S’më tregoi asgjë dhe nuk e pyeta kurrë. Por rrobat ishin gjithë baltë.
Çfarë ndodhi më tej me vajzën? E njohe ti? U takua djali prapë me të?
Jo. Pas një jave djali kishte ikur prapë, pa më thënë, dhe kishte shkuar dhe e kishte marrë vajzën. S’e di se si vendosi ta marrë, por kishin ikur të dy atë natë. Prita të vinte në shtëpi, por nuk erdhi dhe telefonin e kishte mbyllur. Të nesërmen prisja me gjak të ngrirë ndonjë lajm prej tij. Kisha frikë ngaqë dyshoja te rrahja para një jave. Kur prisja telefonatë nga djali, më mori policia e Fierit dhe më tha të shkoja në komisariat. Vajta atje e mora vesh që djali e kishte marrë vajzën dhe prindërit e saj e kishin denoncuar në Peqin, ngaqë ajo ishte e mitur. Unë s’dija asgjë.
Po djali a erdhi? Si u lidhe me të?
Erdhën ata të dy. Vajza kishte marrë rrobat me vete dhe para për të cilat tha se ia kishte dhënë e ëma. Megjithatë, shkuam pas dy ditësh në polici edhe prindërit e saj dhe ne dhe deklaruam që vajza iku vetë e ne do ta mbanim për nuse. U bë fakt i kryer ky muhabet. Aty në polici u vendos.
Pra, ajo iku në datën 1 qershor. Ju si e morët vesh kur nuk flisnit fare me djalin?
Eneo më mori vetë në telefon. Sapo ajo i kishte ikur, djali më mori në telefon e më kërkoi ta takoj e unë e ftova në shtëpi. Kur erdhi këtu, vetëm qante pa pushim. Ishte i dërrmuar plotësisht. Nuk kishte pasur asnjë faj dhe s’dinte pse ajo kishte njoftuar njerëzit ta merrnin. Ishte i dashuruar djali pas saj. Çmendej. I fola, e ngushëllova, madje i thashë më mirë do ishte se ishte i ri e kishte jetën para dhe sikur u qetësua. Që nga ajo ditë erdhi jetoi tek unë djali dhe nuk vija re ndonjë gjë për t’u shqetësuar. Nuk e pyesja për të, sepse nuk doja t’ia kujtoja se mos lëndohej. Eneo i ka dërguar edhe një video vajzës teksa piu fostoksinën…
Ishin rilidhur ata ditët e fundit, të tha gjë djali?
Jo, s’më tha asgjë. Kur ndodhi kjo, ne i hapëm telefonin dhe pamë që kishte tri ditë që kishte rifilluar lidhjen me të. Kishin filluar të flisnin dhe ky kishte bërë një video kur kishte pirë fostoksinën e që ta bindte vajzën, ia kishte nisur e ajo qeshte. Tallej, e nxiste dhe i thoshte se nuk ishte nga ata burra ai që të vdiste.
A keni një apel ju si nënë në lidhje me këtë ngjarje?
Dua të veprojë ligji. Dua drejtësi. Ajo vajzë është shkaktarja që ma nxiti djalin drejt vetëvrasjes. I thoshte në mesazhe “hë bëje ore, vdis, je burrë apo s’je”, por këto ishin të shpeshta. Ai i thoshte se jepte jetën për të dhe ajo i thoshte “po hë, jepe që ta shohim”… Prandaj shteti të marrë masa dhe të ma çojë shpirtin në vend. Ajo vajzë është autorja e vrasjes, sepse e nxiste në çdo mesazh që i dërgonte. Policia i ka të gjitha, video, SMS e mesazhe me zë që ajo i niste, ku e fyente dhe keqtrajtonte brutalisht djalin. */ MAJLINDA RAMA