Pasi Komisionit Zgjedhor miratoi tabelën përfundimtare për qarkun e Tiranës, ku PDIU rezultoi pa asnjë mandat, kjo parti ka dorëzuar sot në KQZ ankimimin për qarkun e Tiranës. Kreu i saj Shqptim Idrizi ka mbetur jashtë parlamentit pas këtij rezultati, dhe kështu në njoftimin e PDIU-së thuhet:
“Ankimimi i PDIU bazohet në pamjet filmike të numërimit të votave në GNV, që sipas Kodit Zgjedhor përbëjnë material zgjedhor. Pamjet filmike tregojnë se PDIU e ka fituar mandatin në Tiranë me disa dhjetëra vota më shumë sesa pragu 3%”.
Më herët gjatë mbledhjes së KQZ, Mesila Doda tha se PDIU-së i duheshin edhe 36 vota për të marrë mandatin në Tiranë, ndërsa kërkoi një hetim administrativ, pasi sipas saj ka pasur parregullsi.
“PDIU ka marrë 12 mijë vota në Tiranë dhe i duheshin edhe 36 vota për të marrë mandin. Të administrohet çdo provë e materialit zgjedhor, pasi u shtrembërua vullneti i zgjedhësve. Pamjet filmike tregojnë se ka pasur pasaktësi në disa qendra votimi”- tha deputetja aktuale e PDIU, Doda.