Fotografi të rralla të kryeministrit realizuar nga Gani Xhengo/ “Kostumet” e liderit të PS-së, kur rrëzohej diktatura, në sallat e refleksioneve me studentët e deri tek betejat me kundërshtarin Berisha
Kishte veshur këtë këmishë me lule, në mitingun e PD-së në fund të dhjetorit 1990. Është një fotografi e realizuar nga fotografi i ATSH-së, Gani Xhengo. Ishte koha kur Edi Rama fliste për “Çetën plakë”, e kur e kishte cilësuar Luftën Antifashiste-Nacional-Çlirimtare si luftë civile. Ditët në vazhdim Rama vendosi ta heqë këmishën me lule për t’u veshur me pardesy të bardhë. Ishte moda politike e kohës. Një pardesy të bardhë e kishin të gjithë dhjetoristët.
Fjalimi i tij nën petkun e bardhë, mbahet mend si një ndër më radikalët e mbajtur asokohe nga ndonjë folës në tribunat e para pluraliste në Shqipëri. Ai sulmoi fort diktatorin, diktaturën, pasardhësin e tij Ramiz Alia, LANÇ e gjithçka vinte nga komunizmi. Qysh atëherë u cilësua anarshist dhe PD e la jashtë portave të saj. Berisha e përzuri Ramën në mbledhjet e para, diku nga fundi i Dhjetorit të vitit 1990. Prej asaj kohe, Rama dhe Berisha do të ishin kundërshtarët më të rreptë, në vazhdimësi.
Kur u largua nga PD-ja pa hyrë mirë brenda saj, Rama e hoqi edhe pardesynë e bardhë për t’u veshur me “hijen e rëndë” të intelektualit. Një ndër fotografitë e tij, në një intervistë në gazeten Koha Jonë, Rama ka veshur një pallto të zezë, e atje thotë se “Intelektualët janë si dele e zezë për politikën”.
Si i tillë do të shfaqej përballë Berishës për të mos e ndalur betejën ndaj tij deri sot. Në vitin 1997, Berisha u rrëzua nga pushteti, ndërsa Rama atëherë vendosi t’i hyjë politikës. Petkat e Ramës ndryshuan shpesh për të gjetur njëfarë stabiliteti kur ai u zgjodh në krye të Partisë Socialiste. I duhej kostum serioz se ia do puna. PS-ja ishte parti namuzqarësh e nuk ia pranonte trendin e hershëm kryetarit të ri, pa çka se e ka pranuar çfarë tha ai 26 vjet më parë, “Është parti shtet, të dalë jashtë ligjit”.
Me t’u zgjedhur kryetar i Partisë Socialiste në tetor të vitit 2005, Edi Rama e ndryshoi diskursin e tij nga një sulm kundër politikës në përgjithësi, në një sulm kundër politikës së vjetër në emër të një politike të re. ‘Politika e vjetër u ka shkaktuar shumë dëme Shqipërisë dhe shqiptarëve… Ka helmuar gjakun e shoqërisë shqiptare, ka penguar atë dhe zhvillimin e saj’
Edi Rama e ka pohuar vetë për të përditshmen britanike “The Guardian”, në vitin 2003, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. E ka stilizuar veten si të tillë jo vetëm në rolin e tij si ministër Kulture e kryetar bashkie, por edhe në krye të partisë dhe tani në qeverisje. Rrezja e tij prej pop-stari vetëm sa është zgjeruar dhe po kështu edhe repertori i tij i komunikimit dhe PR-it.
/Opinion.al