Nuk i japin dot një shpjegim dhe s’kanë as një informacion të saktë. Për këtë në mazhorancë deputetë të rëndësishëm besojnë se lëvizja e Ramës më shumë se sa një fuqizim i PS, është një kulisë për të zgjidhur probleme të tjera. Që s’kanë lidhje me fushatën.
Versioni më i besueshëm sipas tyre është se Rama ka vepruar në bazën e një marrëveshje me Bashën, ose për të kënaqur Bashën, duke synuar t’i japë fund protestës së PD nën dritaret e zyrës së tij. Po sipas tyre, Rama ka tentuar ta shesë lëvizjen edhe si një plotësim dëshire të Metës për të siguruar koalicionin e njëkohësisht një lëshim ndaj Bashës për ta joshur atë drejt zgjedhjeve. Të njëjtat burime brenda PS dhe koalicionit sqarojnë se lëvizja e Ramës ka gjetur të papërgatitur Metën. Siç deklarojnë se vetë Meta nuk ngjan aspak i kënaqur me ardhjen e Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme. Ka qenë pikërisht Meta që në vjeshtën e 2003, së bashku me votat e Berishës, rrëzoi në Parlament kandidaturën e Xhafës pasi ky ishtë emëruar nga Nano si Ministër i Brendshëm.
Po ku e mbështesin brenda mazhorancës bindjen se Rama ka vepruar në bashkëpunim me Bashën ose në një linjë që favorizon një marrëveshje me të?
E para ata besojnë se vendimi për të larguar Tahirin u mor gjatë vizitës në Berlin. Ata besojnë se ndërmjëtës ndërkombëtare ja lanë kërkuar këtë Ramës mbi bazën e bisedimeve me Bashën. Madje besojnë se këtë ndërmjetësim e kanë bërë zyrtarë të CDU që kanë raporte të mira edhe me Bashën edhe me Ramën.
Kjo hamendje duket e vështirë sepse axhenda e Ramës në Berlin duket shumë publike dhe ai ka qenë në të gjitha takimet i shoqëruar me persona të tjerë. Jo shumë të besueshëm për të.
E dyta që besojnë në mazhorancë, është një ndërmjetësim shqiptar, nga njerëz që kanë raporte të mira me Ramën dhe Bashën.
Sipas po këtyre burimeve menjëherë pasi i komunikoi Tahirit shkarkimin, mbrëmjen e vonë të së premtes, Rama i shoqëruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi (i cili formalizon shpesh marrëveshje të tilla) janë mbyllur deri në orët e para të mëngjesit në shtëpië e një biznesmeni shqiptar që ka raporte të mira me Bashën. Brenda mazhorancës besojnë se Basha është kontaktuar gjatë darkës nga biznesmeni dhe se Basha ka kërkuar që bashkë me Tahirin të marrë me vete edhe Beqen. Si dy më të akuzuarit nga opozita. Dhe dy personat, portretet e të cilëve u dogjën publikisht në protestën e 18 Shkurtit bashkë me atë të Ramës. Për të bërë më të besueshëm shkarkimin e Beqes dhe Tahirit janë shtuar edhe Klosi dhe Çuçi. Në PS dhe tek aleatët e Ramës besohet se pas shkarkimeve Basha do qëndrojë edhe ca kohë në çadër dhe do të largohet prej andej me disa rregullime ligjore dhe në kod.
Në PS, burime të besueshme deklarojnë se Rama është shprehur për njerëzit e tij të afërm se ka zgjidhur çështjen e vetingut dhe brenda pak ditës do ta votojë atë bashkë me Bashën. Por nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si do ta realizojë këtë.
Pra ai ka lënë të kuptohet se ka një marrëveshje me Bashën që do marrë udhë brenda 2 – 3 javësh.
Kjo hamendje kundërshtohet kategorikisht nga Basha. Ai ka deklaruar se këtë fundjavë nuk është kontaktuar as në emër të Ramës dhe as personalisht nga asnjë diplomat apo ndërmjetës ndërkombëtar dhe nga asnjë biznesmen apo ndërmjetës vendas. Basha ka shtuar se largimi i Tahirit apo Beqes nuk janë as bonus për PD dhe as ndonjë mjet shkëmbimi për marrëveshje të mundshme. Basha ripërsërit vendimin e tij se në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën dhe se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje fasadë, nën kontrollin e drogës dhe hashashit. Basha rikëmbëngul që protesta do vijojë deri në ndërtimin e një qeveri teknike dhe në largimin e Ramës. Edhe nëse Rama largon gjithë ministrat e tij është e pamjaftueshme ka deklaruar Basha ekskluzivisht për opinion.al. E vetmja marrëveshje është largimi i Ramës nga qeveria dhe ndërtimi i një qeverie teknike me bazë të gjerë.
Atëherë përse i ka bërë Rama zëvendësimet dhe përse në mazhorancë besojnë se kjo është një marrëveshje me Bashën dhe jo një lëvizje elektorale? Me gjasë, misteri që ka shoqëruar lëvizjet, ka krijuar më shumë mjegull për vetë PS dhe LSI, se sa për PD që për herë të parë në këto vite është e qartë. Ka vetëm një objektiv dhe ai është qeveria teknike. Mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë realisht ka ndodhur dhe përse Rama e mori këtë vendim.
opinion.al