Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duke drejtuar mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, e ka vënë theksin tek zgjedhjet e 18 qershorit, mbarëvajtja e të cilave ka një rëndësi jetike.
“Zgjedhjet e 18 qershorit janë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe për të nisur reformën në drejtësi, në një terren të sigurtë dhe tërësisht legjitim, pavarësisht rezultateve të forcave politike, përfshirë LSI-në”, ka thënë Meta.
Ai ka theksuar se, referimi tek opinioni i Komisionit të Venecias dhe konsensusi mes palëve për reformën në drejtësi duhet të shërbejnë si bazë për reformën.
“Kjo reformë, që do të kërkojë kohën e saj, për ne ka 3 fjalë kyçe: Kushtetuta, ligji dhe transparenca”, ka shtuar Meta.
Më herët gjatë ditës, në një prononcim për mediat, Meta foli edhe për takimin me kryeministrin Rama, të cilin e ka cilësuar si diçka normale.
“Ky është një komunikim i vazhdueshëm, normal, bashkëpunues”, tha Meta, i cili refuzoi të jepte detaje mbi temat e diskutuara me partnerin qeverisës.
“Nuk dua të hyj në çështje konkrete dhe në çështje specifike. Dy çështje dua t’i nënvizoj. Rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi në mënyrën më kushtetuese, ligjore dhe transparente dhe kjo është e domosdoshme. Dhe së dyti, rëndësinë e dialogut për të garantuar zgjedhjet më të larta të standardeve evropiane më 18 qershor. Kjo kërkon një klimë dialogu dhe bashkëpunimi”, vijoi Meta, duke nënvizuar se rol të rëndësishëm ka edhe opozita.
“Dialogu me opozitën është kyç për integrimin evropian. Parlamenti në radhë të parë është i opozitës, sepse mazhoranca ka edhe qeverinë. Kështu që opozita parlamentin ka. Dhe është gjithnjë e mirëpritur në mënyrë që të çojë përpara kërkesat e saj për standarde me të larta për zgjedhjet e 18 qershorit”, tha Meta.