Polici Sergio Gomes Moreira Filho, i cili vrau ambasadorin grek Kyriakos Amiridis ka rrëfyer krimin. Pas pamjeve të publikuara nga CCTV, duket momenti kur ai së bashku me kushëririn e tij hyjnë në banesën e ambasadorit dhe më pas vendosin trupin e vdekur të ambasadorit në makinë.
Policia thotë se gruaja e ambasadorit, Francoise Amiridis, komplotoi vrasjen me të dashurin e saj 29 vjeçarin Sergio Gomes Moreira Filho.
Gjithashtu është ndaluar dhe kushëriri i tij, Eduado Melo, pasi është paguar 25 mijë dollarë për të vepruar si vëzhgues.
Kyriakos Amiridis ishte zhdukur që prej të hënës së kaluar. Ndërsa trupi i tij u gjet në një makinë të djegur në periferi të Rio de Janeiro pas tre ditësh.
Hetues Evaristo Magalhaes u tha gazetarëve se Françoise, 40-vjeçe dhe Moreira kishin planifikuar vrasjen ditë më parë.
Presidenti brazilian Michel Temer, në një letër drejtuar kryeministrit grek Aleksis Tsipras, i ka shprehur ngushëllimet familjes së ambasadorit, miqve dhe popullit grek.
Ambasada greke në Brazilia nuk pranoi të komentojë. Në Athinë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke Stratos Efthymiou tha se qeveria po ashtu nuk kishte asnjë koment./tvklan.al