Nga Keti Bazhdari
Me shumë dhimbje për humbjen e znj Klinton, si grua e fortë dhe si shtetare me eksperiencë, por kurrë me aq dhimbje sa për fitoren e establishmentit “të gënjyer/ zhgënjyerve”, e quaj të rëndësishme të analizohet kjo situate, që jo rastësisht e kemi përballë.
Miliarda njerëz në botë e kanë parë Amerikën si mit. Edhe ata më skeptikët, qoftë edhe për shprehi, kushedi sa herë në jetë i janë referuar. Amerika shteti më i fuqishëm në glob, për ekonomi, politikë, teknologji dhe gjithë nëndegët e tyre përfshirë dhe luftën, një ditë më parë, arriti në një vendim, që të lë pa fjalë.
Vendimi nuk gjykohet por analizohet. Amerika është ndërtuar si shtet mbi besimin, ka ngritur mitin mbi besimin dhe me të ka pushtuar botën. Shumica e njerëzve të botës besonin në ëndrrën amerikane. Sa herë bëheshin zgjedhje në Amerikë, kjo shumicë i kishte sytë andej, duke ndjekur me vëmendje të madhe cdo debat që bëhej, temat që trajtoheshin, qëndrimet që mbanin kandidatët dhe retorikat e tyre s’mund të ishin kurrë vetëm amerikane, pa patur në fokus politikat dhe zhvillimet afatgjata në gjithë botën. Kjo bënte që gjithë bota të mbante frymën dhe të ndiqte me vëmendje njërin apo tjetrin kandidat, si dhe të shprehej përmes lobeve të veta. Këta kandidatë kishin kujdes të madh në gjetjen e fjalës sepse përmes fjalës, ata transmetonin një projekt të tërë të riekuilibrave botërorë. Në ato fjalë merrnin apo ndalnin frymën miliarda njerëz në botë. Amerika është parë historikisht si një medium lobesh, sepse i tillë është formacioni i saj, me përfaqësues nga gjithë komunitetet e botës, që kanë zërin e tyre ne kapitullin e demokracisë amerikane.
Ky gjithëpërfaqësim e ka bërë ëndrrën amerikane, ëndërr të shumicës së këtij planeti si dhe Amerikën shtetin më me influencë në rruzull. Influenca ngrihet vetëm mbi besim dhe është një marrëdhënje reciproke, që po humbi nga njëra anë, humbet krejtësisht.
Po kësaj here cfarë ndodhi?
A i përmbahej retorika e kandidatit që fitoi zgjedhjet thelbësisht logjikës së Amerikës si shtet lider në botë, apo trajtonte thjesht “hallet” e veta? Për mua ta trajtosh Amerikën me fokusin që e trajtoi Z.Trump, është ta banalizosh Amerikën, ta nxjerrësh lakuriq para botës, me mijra probleme urie, korrupsioni e racizma. Fiks ato që Amerika s’duhet të përcillte në sytë e miliarda njerëzve, e parë si lider.
Por ai me këtë logjikë fitoi. Dhe problemi nuk ngelet Z.Trump, sepse ai vetë është produkt thelbësisht amerikan, problemi ngelet pse fitoi ‘trampizmi’.
Trump-i tregoi me një kurajo e vullnet të pashlyeshëm, se nuk ishte asgjë më shumë se sa një studiues i hollë i asaj cfarë shumica e njerëzve të Amerikës donin të dëgjonin dhe sido t’i quajmë të zhgënjyer apo të gënjyer, ai ia doli të bëhej referenti i tyre. Retorika e Z.Trump, që unë preferoj ta quaj ‘trampizëm’ për përmasat e saj, nuk qe ajo cfarë ai deshi të transmetonte por cfarë ata donin të dëgjonin. Ky është problemi. Një retorikë e denjë për kushtet e luftës për ekzistencë, i superpozohet një retorike klasike të një shteti të lavdishëm që udhëheq botën dhe fiton mbi të.
Ajo që trampizmi thelbësisht përcolli, është se mos e shikoni Amerikën si mit kot se Amerika ka hallet e veta. Amerika ka problemet e veta e jo të merret me gjithë botën, ndaj si fillim do impenjohet të nxjerrë jashtë këta që ka këtu, etj. Dhe sa hap e mbyll sytë, trampizmi e projektoi imazhin e Amerikës së madhe, së hapur e shpresë për shumicën, në mizantropi. Tamam e kundërta e imazhit që duhet të transmetojë një lider botëror, i cili pikësëpari krijon besim përmes modelit të tij të hapur, të sigurtë dhe gjithpërfshirës.
Po a fitoi Trump se arriti të bëjë bashkë të zhgënjyerit që historikisht kanë qenë e kanë për të qenë apo se këtu ndihmoi dhe porcioni i dështimit të politikes klasike në adresimin e duhur të nevojave të qytetarëve, kjo kërkon një analizë të vecantë dhe të gjatë sepse përbën arsyen kryesore të disintegrimit të ekuilibrave botëror, në një të nesërme të afërt. Dhe pikërisht për këtë fakt askush s’duhet ta gjykojë për keq trampizmin, përfshirë dhe vehten këtu.
Sot po e kuptoj që ‘trampizmi’ ka një meritë të pashlyeshme, që do ngelet në historinë filozofike, pasi tundi botën në momente vakuumi mendor. Ky është konkluzioni që mund të nxjerrësh sot.
‘Trampizmi’ është produkt studimi sociologjik, produkt zhgënjimi njerëzor, produkt i dështimit të politikës klasike, por mbi të gjitha një eksperiment i arrirë për t’i celur sytë dhe për të shkartisur mendimin botëror nga apatia.
‘Trampizmi’ tregoi se mjaft e trajtuat lirinë si vakuum! Nëse do gjendet vakuum, ajo disi do mbushet. Pasi është hera e parë në historinë e mendimit politik dhe ekonomik botëror, që të mungojë produkti dhe përpjekja për të ofruar një apo disa produkte intelektuale të revolucionarizuara, si modele opsionale për të konkurruar, përmirësuar apo zevëndësuar në të ardhmen modelet ekzistente të organizimit botëror. Njeriu ka qenë historikisht në kërkim të një modeli të evoluar organizativ që të jetë në përshtatje e sipër me ekzigjencat e tij dhe të shoqërisë ku ai jeton. Sot për shkak të periudhave të gjata të mirëqenjes dhe falë një edukimi të përciptë, njeriu modern i është dorëzuar apatisë së mendimit, i vetëbindur se zgjidhjet duhet t’i vijnë të gatshme dhe ai ka vetëm të bëjë pazar me zgjidhjen që i ofron më shumë atij, jo shoqërisë apo botës ku ai jeton.
Njeriu i sotëm sillet si individualist tipik dhe s’do të sakrifikojë asgjë për të mirën e përbashkët. Dhe këtu lind rreziku dhe rreziku s’janë diktaturat pasi ata e kanë një model. Rreziku është shthurja, anarshia. Më pas vijnë diktaturat. ‘Trampizmi’ pikërisht për këtë të mirë, meriton të vlerësohet si esperimenti social më i goditur botëror, pasi mori mundimin dhe ia doli, të parashtrojë një problem kaq madhor për botën, në një kohë kur të gjithë ishin indiferente ndaj tij…