Lumi Drin që përshkon qytetin e Lezhës dhe shkon e derdhet në det, në stinën e verës është një magji e vertetë.
Pas thellimit dhe zgjerimit të tij në vitin 2007, ky lum që deri dje ishte ankthi i përmbytje, sot shihet si një atraksion i ri turistik.
Udhëtimi mund të nisë edhe nga qendra e qytetit.
Shëtitorja e re e ndërtuar sëfundmi i ka dhënë një tjetër pamje jo vetëm lumit, por vetë qytetit.
Iniciativa e parë është ndërmarrë tashmë dhe në mes te lumit Drin në qëndër të Lezhës është vendosur një gomone që përdoret për të shëtitur turistët.
Aleksi, është personi që ka nisur këtë “biznes” i pari. Ai thotë se janë fillimet dhe turistët janë ende të paktë, por e sheh si një investim që do të ketë të ardhme. Me këtë gomone, thotë ai, ka lundruar drejt Shëngjinit, Ranës së Hedhme, por edhe Velipojës.
Udhëtimi përgjatë lumit Drin në Lezhë nis pranë urës në hyrje të qytetit dhe shpejt hyn në zonën e Ishull Lezhës, një fshat ky mes lagunave Kune dhe Vain.
Rruga të prezanton edhe një zanat të vjetër për banorët e kësaj zone, peshkimin. Rrjetat e tyre, të cilat përshkojnë të gjithë gjerësine e lumit e që banorët i quajnë kalimere, të shoqërojnë përgjatë udhëtimit.
Biodiversiteti është një tjetër element që konstaton gjatë kësaj xhiroje. Pelikanët, pulëbardhat, pulëzat e ujit e të tjerë shpendë të fluturojnë mbi kokë gjatë gjithë kohës. Dhe në fund i afrohemi grëkëderdhjes në det, ku para teje është horizonti krejtësisht i kaltër i lagunave të mbrojtura të Kune – Vainit dhe plazheve deri diku të virgjëra të këtyre dy zonave.
Udhëtimi deri në Shëngjin është një tjetër ndjesi. Ndërsa era të deporton duke të të dhënë freskinë e duhur për të tejkaluar të nxehtit, deti dhe kthjellësia e tij të mbushin me frymë.
Eshtë ky një udhëtim nëpër lumin Drin të Lezhës, që vështirë të shkruhet gjithë ndjesia që përjeton.
Por a mjafton vetëm 1 gomone për të thithur turistët drejt Lezhës dhe drejt Drinit?!
Autoritet e Bashkisë thonë se ka nevojë për të zgjeruar gamën e shërbimeve. Për të shfrytëzuar maksimalisht atë që natyra i ka dhënë qytetit, kërkohet që të vihet në zbatim PPP ( partneriteti publik privat ) që do të gjenerojë një tjetër sjellje ndaj turizmit.
Sakaq, operatorët turistikë kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të hapë portat e shkarkimit të lumit Drin drejt Lezhës edhe gjatë stinës së verës.
Kjo do të ndihmonte në krijimin e nje rrjedhe pastruese për lumin si dhe do të rriste nivelin e tijë për të lehtësuar levizjen e varkave me vizitorë pa asnjë shqetësim.
Ndërkohë Bashkia Lezhë premton se do të ndërtojë një vend-qëndrimi për varkat e turistëve.
Në Lezhë po pritet të nisë puna edhe për ndërtimin e portit turistik pranë portit ekzistues të Shëngjinit që do ti japë një tjetër dimension turizmit.
*Përgatiti për Opinion.al, Gjergj Figuri